Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Veprimtaria ilegale e Metës në sytë e të gjithëve, dënohet me 25 prill


“Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sytë e të gjithëve. Nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon Kushtetuta, por është nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”.

Kjo është akuza e radhës që kryeministri Edi Rama ka hedhur mbi Presidentin Ilir Meta. Deklarata është dhënë pas mbledhjes së shtabit të Partisë Socialiste.

“Një president që bën propaganda kundër Qeverisë. Flet me gjuhë rruge, që lëviz për qëllime elektorale”, thekson Rama. “Ai ka vënë zyrën e rojtarit të Kushtetutës në dispozicion të ndërmarrjes që formalisht ja menaxhon e shoqja”.

“Çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën, nuk ka nevoj ta komentoj unë. Të gjithë e shohin dhe të gjithë do ta dënojnë më 25 prill”, përmbyll fjalën e tij kryeministri.

Replikat Rama-Meta kanë filluar të shtunën e 20 shkurtit, kur nga qyteti i Vlorës, kreu i Qeverisë e akuzonte sërish presidentin për rolin e tij.

Ky i fundit, kishte akuzuar Ramën për shpërndarje të padrejtë të vaksinave.

Beteja politike e kryeministrit ka marrë një zhvendosje nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, drejt kreut të shtetit, Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore