Shqipëria

Rama thotë se nuk ka paralajmëruar asnjë “non grata”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk ka paralajmëruar asnjë “non grata” gjatë fjalës së tij në seancën plenare të 2 marsit.

Lajmi u bë i ditur në median sociale ‘Twitter’, si reagim pas deklaratave në Kuvendin e Shqipërisë.

“Nuk kam paralajmëruar asnjë nongrata! Thjesht kam kujtuar se politika e amerikane nuk është muhabet leku, gjize dhe byreku siç e bëjnë nongratat e Tiranës, po qasje strategjike që as varet as ndryshon nga retë në pantallonat e gjelave të katundit tonë politik! Normal që vazhdon”, shkruan kreu i Qeverisë.

Një ditë më parë ai zgjodhi një gjuhë kriptike ndaj opozitës së pranishme në seancën plenare.

“Ju presim më 14 maj për të na mundur siç na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve. Deri atëherë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe hokllaia po ushtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë”, u shpreh Rama.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim deklaroi gjatë një interviste televizive se përcaktimi non grata “është një proces shumë konfidencial dhe do të habitesha vërtet shumë nëse deklaratat e tyre do të bazoheshin në informacion faktik, të besueshëm”.

Por kjo nuk i ka ndaluar aktorë të ndryshëm politikë që të parashikojnë përcaktime të tjera nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament, Taulant Balla, deklaroi më herët se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të përcaktohet si non grata edhe nga Bashkimit Evropian dhe kjo gjë pritet të ndodhë shpejt.

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, mendon se shumë shpejt zyrtarë të lartë (ministra) të Qeverisë shqiptare, do të shpallen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vendin tonë deri më tani janë shpallur të padëshirueshëm nga SHBA-të disa personalitete të politikës dhe ish-zyrtarë.

Siparin e ka ngritur ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe pas tij ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa personalitete të tjera, si ish-deputeti Aqif Rakipi dhe Tom Doshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore