Shqipëria

Rama thirrje investitorëve në Kosovë: Jeni në shtëpinë tuaj, investoni në Shqipëri


Nga Prishtina, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur një thirrje për të gjithë investitorët e Kosovës.

Tepër qartë – nga konferenca e përbashkët me kryebashkiakun e Prishtinës, Përparim Rama – kryeministri kërkoi që investitorët të vijnë të investojnë edhe në Shqipëri.

Ai tha se ata nuk duhet të ndihen si investitorë të huaj, por duhet ta konsiderojnë Shqipërinë si shtëpi të dytë.

“Më vjen mirë që kohët e fundit ka një numër në rritje sipërmarrësish nga Prishtina, por edhe komuna të tjera të Kosovës që interesohen për të investuar në Shqipëri. Përfitoj nga rasti t’ju them edhe të tjerëve që Shqipëria është shtëpia juaj dhe ju nuk jeni investitorë të huaj në Shqipëri por jeni investitorë shqiptarë. Punët po shkojmë shumë mirë për investimet, turizmin”.

Më tej në fjalën e tij, Rama deklaroi se hekurudha Durrës-Prishtinë nuk është më një dëshirë apo premtim, por një projekt i cili do të marrë jetë.

Sipas tij, hekurudha Durrës-Prishtinë i është nënshtruar një analize nga ekspertët më të mirë dhe do të kalojë në fazat e tjera që duhet të kalojë një projekt për t’u realizuar.

“Ky është një projekt që kemi bashkërisht me qeverinë e Kosovës. Të tjerat janë barsoleta për thashetheme mediatike. Ne punomë bashkë, dhe hekurudha Durrës-Prishtinë, i është nënshtruar një analize. Do të duhet të presim studimin e fizibilitetit, dhe më pas procesin e financimit dhe me radhë”.

Rama theksoi se “nuk janë vepra që thuhen sot dhe bëhen sot”.

Rama nderohet në Prishtinë me çmimin “Çelësi i Qytetit”

Sakaq, kryeministrit të Shqipërisë i është dorëzuar çmimi “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama.

“Kujtoj që në vitin 2008, kur Thaçi drejtonte qeverinë e parë të pavarësisë, i dhashë ‘Çelësin e Tiranës’ dhe sot jam unë që e marr çelësin si kryeministër i Shqipërisë”, tha Rama.

Ky i fundit theksoi se i ndjek me kuriozitet përpjekjet e kryetarit të komunës në kushtet e një kryeqyteti që rritet, që ka sfida të mëdha si çdo kryeqytet në botë dhe që ka nevojë për lidership dhe mbështetje të vazhdueshme nga të zgjedhurit e vet.

Nga ana tjetër, Përparim Rama vlerësoi punën e kryeministrit të Shqipërisë për punën e kryer në zhvillimin e hapësirës mbarëshqiptare.

“E çmoj edhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në arenën ndërkombëtare për Kosovën dhe e shohim si arma jonë e rëndësishme me të cilin jemi të lidhur fort e duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë, E përgëzoj për zhvillimin e hovshëm që ka bërë Shqipëria dhe populli shqiptar këto vitet e fundit”.

Ai shtoi se “i gëzohemi faktit që Shqipëria është kthyer në një brand turistik, si një perlë e bukur, e mrekullueshme, që vizitohet nga e gjithë bota”.

Kreu i qeverisë shqiptare  nuk mundi t’i shpëtonte pyetjes rreth faktin që kjo është hera e dytë që ai nuk u takua me Albin Kurtin.

“A ke ndonjë porosi për vëllain e vogël?”, ishte pyetja e një prej gazetarëve.

Rama nuk pranoi të përgjigjet për takimin, por konfirmoi se nuk do të ketë mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është kryetar i Klubit Partizani. Me bëtë pyetjen me shpresën që do të me fusni në kurth, por jam mësuar më këto”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore