Shqipëria

Rama takohet me homologun britanik Rishi Sunak


Kryeministri shqiptar Edi Rama është takuar të enjten e 23 marsit me homologun e tij britanik Rishi Sunak në “10 Downing Street”.

Kjo e fundit është rezidenca zyrtare dhe zyra e Kryeministrit britanik.

Gjatë takimit me Sunak, Rama u shpreh se emigrantët që udhëtojnë me varka “janë imazhi i asaj që po ndodh në botë”.

“Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve”, deklaroi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjesht një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë.

Ata, shtoi Rama, kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu.

“Mollët e kalbura janë objektivi ynë i përbashkët për t’u luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë”, theksoi Rama.

Në fund të fjalës së hapur për mediat e pranishme ai ftoi homologun britanik që të vizitojë Tiranën.

“Britania dhe Shqipëria kanë tashmë një partneritet të ngushtë dhe po pres me padurim që ti forcojmë edhe më tej ato marrëdhënie me ju sot. Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim”, u shpreh nga ana e tij Sunak.

Sipas shefit të Ekzekutivit britanik, pritet që palët të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike.

“Për të gjitha këto dhe më shumë jam i lumtur që do të diskutojmë së bashku, por së pari kënaqësi që ju pres këtu”, shtoi kryeministri britanik.

Më herët, kreu i Qeverisë kritikoi Sekretaren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman për komentet e saj për emigrantët shqiptarë.

Me mbërritjen në gadishull, ai dha një intervistë për multimedialin BBC, sa i takon çështjes së emigrimit të jashtëligjshëm të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

“Të turpshme”, i ka cilësuar ai ato, duke kujtuar se si të tilla fjali në politikë, janë diskriminuese për një popull.

“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, theksoi kryeqeveritari shqiptar.

Ndër të tjera, ai shtoi se vërejtjet e Braverman, kanë qenë një “goditje e ulët”, ndërsa vullneti politik për të kapërcyer përkeqësimin e marrëdhënieve, mbetet i lartë.

“Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim”, shtoi më tej ai.

Ndërsa në mbyllje të intervistës së dhënë për radion zyrtare të BBC, “Radio 4”, ai vlerësoi kryeministrin britanik, Sunak dhe sjelljen e tij.

“Ne kemi vendosur një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çdo gjë që duhet të përjashtohet nga marrëdhëniet tona dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që disa mollë të kalbura të mos përcaktojnë komunitetin shqiptar këtu dhe marrëdhëniet tona”, përmbylli kryeministri.

Më herët, ishte media britanike “The Guardian”, ajo e cila i kishte kushtuar atij një artikull, bazuar edhe në një intervistë që vetë kryeministri kishte dhënë për ta.

Aty theksoheshin alternacionet mes të qenit artist dhe kryeministër, si edhe nuk u kursyen as qëndrimet lidhur me çështjen e emigrantëve.

Tre muaj më parë në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Britanisë, krerët qeveritarë të të dyja vendeve firmosën një marrëveshje e cila përfshin tre fusha kryesore me interes të përbashkët.

Në marrëveshje nënvizohet dakordësia për çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, rritjen ekonomike dhe investimet, si dhe inovacionin, rininë dhe arsimimin.

Deklarata vjen në kuadër të angazhimit të të dy kryeministrave për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve tashmë të forta dypalëshe mes vendeve.

Në pikën e çështjeve të sigurisë dhe çështjet e brendshme, autoritetet britanike e cilësojnë Shqipërinë si “një vend me origjinë të sigurt”, sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne jemi të përkushtuar për të forcuar më tej zbatimin e përbashkët të angazhimeve tona ndërkombëtare veçanërisht në fushën e kontrollit kufitar, të luftës kundër krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin dhe shfrytëzimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij, dhe migrimin e paligjshëm”, vëren deklarata zyrtare.

Marrëveshja dypalëshe zyrtarizoi sakaq edhe formimin e një Taske Force të përbashkët në nivel të Ministrive të Brendshme.

Kjo, me objektivin e parandalimit, ndërprerjes së migracionit të paligjshëm dhe për të depërtuar në rrjetet kriminale.

Në kuadër të kësaj Task Force, palët pritet të forcojnë bashkëpunimin në nivel operacional, duke përfshirë ndarjen efektive të të dhënave dhe më shumë ekipe të përbashkëta operacionale.

Lidhur me riatdhesimet, Britania tha se kjo marrëveshje do të rrisë kthimet në Shqipëri duke përfshirë ata mbi 18 vjeç, të cilët janë identifikuar nga autoritetet britanike si viktima të skllavërisë moderne dhe qenieve njerëzore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore