Shqipëria

Rama: Shqipëria po e mban nën kontroll inflacionin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi ynë po e mban nën kontroll inflacionin.

Kjo, e krahasuar me vendet e tjera dhe rajonin.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët online me qytetarët dhe gazetarët.

“Duhet të themi që inflacionin Shqipëria po e mban nën një kontroll krahasuar me vendet e tjera”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, kur vjen fjala te çështja e rritjes së pensioneve, asnjëherë nuk është mjaftueshëm.

“Sado t’i ngremë pensionet asnjëherë nuk do të mund t’ia themi vetes, pensionistëve jo e jo, që kemi bërë mjaftueshëm. Por fakt është se ne kemi ndërhyrë për të parën herë në gjithë këto vite për të indeksuar pensionet dy herë brenda një viti”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Për kryeministrin, nëse i referohemi numrave kemi një rritje afër 10 për qind të pensioneve.

“Këtë e kemi bërë për të ndihmuar pensionistët për të përballuar inflacionin në ushqimet bazë”, vërejti Rama.

I matur me metodologjinë e Eurostat, inflacioni në Shqipëri për muajin korrik rezultoi 7.2% ose 0.3% me pak se, matjet nga metodologjia kombëtare.

Kështu ka raportuar Instituti i Statistikave (INSTAT), i cili thotë se ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2022 është 7.2%.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 14.5% u vërejt në grupin “Transport”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12.4%.

Inflacioni i muajt që lamë pas ishte në mesataren e Eurozonës 9.8%.

Referuar të dhënave, Shqipëria renditet në mesin e pesë vendeve me inflacionin më të ulët. Në muajin qershor, inflacioni mesatar në Evropë ishte 9.8%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore