Shqipëria

Rama shpërfill akuzat e Ahmetajt, lëshuar gjatë emisionit italian Report


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka shpërfillur akuzat e bëra nga ish-zëvendëskryeministri i qeverisë së tij të tretë, Arben Ahmetaj (ky i fundit i ka hedhur ato gjatë emisionit Report në Rai 3), duke thënë se “nuk do t’i besonte shumë dikujt që flet pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit”.

Këtë Rama e ka thënë gjatë një interviste të gjatë për emisionin Report, i cili ka publikuar një seri të dytë rreth Shqipërisë, ku shtrohet si çështje edhe kapja e shtetit dhe strukturave qeveritare nga eksponentë mafiozë.

Rama këtyre pretendime u është përgjigjur me mohim, ose mungesë komenti, apo deri edhe te cilësimi i deklaratave si “gjysmë të vërteta, që në vetvete nuk janë aspak të vërteta”.

Lidhur me Ahmetajn, ka qenë gazetari i emisionit, ai i cili e ka njoftuar Ramën se ka folur me një ish-eksponent të qeverisë së tij dhe i cili ka pretenduar se gjatë mbledhjeve zyrtare, Rama ka thënë se kanabizimi i vendit do të ishte një shtytje për ekonominë shqiptare.

“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen”, ka thënë Rama si përgjigje.

Më pas, i është bërë me dije nga gazetari se po i njëjti burim (referuar Ahmetajt), ka thënë edhe se në zyrën e kryeministrit kanë shkuar shefa të organizatave kriminale shqiptare.

Përgjigja e Ramës ka qenë e tillë: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.

Çfarë ka thënë Ahmetaj?

Për të shmangur burgun, Ahmetaj iku në Zvicër dhe nga njeriu i besuar i Ramës, tani është një nga akuzuesit e tij më të rrezikshëm. Ahmetaj ka zbuluar rolin themelor të mafias në ekonominë dhe politikën shqiptare: “Grupet kriminale fitojnë tendera falë ndërmjetësve, pastrojnë paratë në Shqipëri me anë të ndërtimit. Ata koordinohen me Edi Ramën”.

Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit në arrati, Rama ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me krerët e klaneve: “Takon kryemafiozët në zyrën e tij në godinën e qeverisë, i kam parë”.

Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet janë të ndërmjetësuara nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, një biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish-parlamentari të fuqishëm socialist. Në intervistën e gjatë për Report, Rama hedh poshtë denoncimet duke e cilësuar ish-krahun e tij të djathtë të pabesueshëm: “Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia”.

Kohët e fundit, megjithatë, në zyrën e Ramës është mbajtur një takim, për të cilin Report është në gjendje të tregojë provat fotografike, ku ka marrë pjesë Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga pastruesit kryesorë të kartelit të Sinaloas.

Dy muaj pas bisedës me kryeministrin shqiptar, biznesmeni ka marrë licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë.

“E kam parë një herë dhe pastaj kurrë më”, është mbrojtja e Ramës.

Por Shqipëria nuk është terren i pushtuar vetëm nga klanet e mafias shqiptare. Vitet e fundit, shumë sipërmarrës italianë kërkojnë fatin përtej Adriatikut. Ndër ta është edhe Massimo D’Alema. Report ka zbuluar se vitin e kaluar ish-kryeministri hapi një shoqëri lobimi, A&I, në Tiranë, ku deri pak muaj më parë bizneset e reja nuk paguanin asnjë taksë.

“Në Shqipëri ai merret me kriptovaluta”, pohon Ahmetaj.

I pyetur nga Report, D’Alema mohon. Në Tiranë, megjithatë, që nga viti 2019 ka hapur dyert Consulcesi Tech, një kompani që ka inauguruar në Maltë një fond të specializuar në investime në kriptovaluta.

Consulcesi i referohet Massimo Tortorella, ish-partneri i D’Alemas në kompaninë e tij të verërave. Në vitin 2019, D’Alema dhe Rama inauguruan së bashku fillimin e aktiviteteve në Tiranë të Consulcesi Tech, duke marrë pjesë në një konferencë mbi blockchain.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore