Shqipëria

Rama: Samiti i 6 dhjetorit është aktiviteti më i rëndësishëm i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Samiti i 6 dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor është aktiviteti më i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri të zbresë i gjithë kontinenti në shprehje të qartë respekti për Shqipërinë dhe në mbështetje të asaj linje tanimë të kristalizuar që e sheh Shqipërinë si një faktor kyç në rajon dhe për shkak të rajonit në funksion të Evropës”, theksoi Rama.

Ai hodhi poshtë gjithashtu lajmërimet në media se kjo datë do të jetë pushim zyrtar për administratën shtetërore dhe shkollat.

Këshilli i Bashkimit Evropian publikoi më herët në faqen e saj zyrtare agjendën e plotë (përfshirë tematikat) të samitit.

Sipas institucionit evropian, samiti do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.

Katër do të jenë temat kryesore të diskutimit: Pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja; sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Mbërritja dhe mirëpritja zyrtare, referuar Këshillit të BE-së, do të bëhet në orën 10:15.

Rreth orës 11:00 është parashikuar një hapësirë e quajtur “shkëmbim pikëpamjesh”.

Në orën 12:15 do të ketë një seancë plenare dhe drekë pune.

Më pas, samiti do të përmbyllet në orën 14:30 me një konferencë për shtyp.

Çfarë dihet deri tani?

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se mbajtja e samitit në Tiranë, flet për ndryshime madhore gjeopolitike të BE-së.

“Pritshmëritë për samitin janë të dyfishta. Së pari, riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse të integrimit evropian të vendeve të rajonit”.

Sipas Xhaçkës pritet forcimi i bashkëpunimit midis dy rajoneve në fusha si siguria dhe politika e jashtme.

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, samiti i 6 dhjetorit, është një mesazh i qartë kundër Vladimir Putin-it, Alexander Vuçiç-it dhe Edi Ramës.

Sipas tij, bashkësia evropiane po i tregon Moskës se Shqipëria, është territor i vendeve perëndimore dhe shtetet e tjera, nuk mund të kenë ambicie gjeostrategjike.

Ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane.

”Ky samit e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”. Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të takimit mbi 1 mijë e 500 forca të rendit do të jenë në terren për të garantuar sigurinë e samitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore