Shqipëria

Rama: Qeveria po mbron konsumatorin nga rritja e çmimit të energjisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale, Facebook, ka sqaruar opinionin publik për sa u përket rritjeve të fundit të çmimeve të energjisë.

“Sot, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë”, shkruan Rama.

Më tej, ai shpjegon se, “çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lekë, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lekë!”

Në status, kreu i Qeverisë shkruan gjithashtu se vendi ynë “nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet”.

Diçka e tillë, ka thënë ai, varet nga reshjet e shiut dhe të borës në vend, “të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë”.

Si pasojë e thatësirave, ravijëzon kryeministri, thuajse gjysma e nevojave për energji mbulohen nga importi, në një kohë “që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike”.

May be an image of sky

“Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht!”, shkruan Rama.

Kreu i Qeverisë thekson se çmimet mund të dyfishohen, por ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria nuk e ka rritur çmimin e faturës së energjisë, duke “vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël”.

Diferenca, shkruan Rama, mbulohet krejtësisht nga shteti, vlera e të cilës i kalon “45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë”.

Lufta në Ukrainë e ka rritur koston e kësaj mburoje unikale, vijon kryeministri, por “ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi”.

“Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk e shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajë, besim dhe durim. Të bashkuar, jo të ndarë”, përmbyll Rama.

Një ditë më parë, gjatë një konference të thirrur me gazetarët, kryeministri zyrtarizoi krijimin e një “komiteti të posaçëm” për përballimin e krizës nga lufta në Ukrainë.

Ai shtoi se një krizë e paralajmëruar e energjisë elektrike nuk përfshinte edhe preludin e një agresioni të armatosur rus.

Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, në kuadër të paparashikueshmërisë që ka situata në Evropë, autoritetet janë të përgatitura për të gjitha skenarët.

Ai paralajmëroi se ndër skenarët e mundshëm, ai më dramatik, do të jetë shkurtimi i energjisë dhe naftës.

“Do të bëjmë çmos për të mbrojtur qytetarët tanë”, theksoi në fjalën e tij Rama.

Gjithashtu edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë konferencës për media tha se edhe gjatë muajit mars, çmimi i energjisë elektrike për klientin familjar në vendin tonë nuk do të ndryshojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore