Shqipëria

Rama: Problemet në çdo bashki janë kundërshtarët tanë të vërtetë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se kundërshtarët e vërtetë të mazhorancës në zgjedhjet vendore të 14 majit “janë problemet që ka çdo bashki”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.

“Unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për atë që duhet të bëjmë. Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim në një kthesë të madhe e të fortë në planin ekonomik”, theksoi kreu i Qeverisë.

Më 15 mars, Rama zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e qarqeve dhe grupin parlamentar socialist, duke u ndalur në dy aspekte dhe porosi të veçanta, përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.

E para, kishte të bënte me mesazhin e qartë se të gjithë deputetët, do të mbajnë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor në zonat e tyre elektorale.

Po ashtu, ai kërkoi angazhimin maksimal nga çdo deputet dhe drejtues qarku, për të arritur rezultatet e dëshiruara nga të majtët në 61 bashkitë e vendit.

Një raportim paraprak ka pasur lidhur edhe me sondazhet zgjedhore që PS-ja vazhdimisht kryen, ku kreut të partisë i janë raportuar ato, lidhur me kandidatët për kryebashkiakë, si edhe sa i takon këshilltarëve në Këshillat Bashkiakë.

Një takim shumë më të gjatë lidhur me zgjedhjet vendore, Rama e ka pasur më 6 janar, me 12 drejtuesit e qarqeve në vend, ku për pesë orë ai ka kërkuar raportim të detajuar lidhur me situatën në gjithë bashkitë e vendit.

Ndërkaq, “llogaritë elektorale” socialiste, shënjojnë numrin e 40 bashkive të fituara, si atë të “artë”, duke iu referuar një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri, në mbyllje të vitit 2022.

“Partia Socialiste nuk zbret nën 40 bashki. Këto janë llogaritë elektorale në Shqipëri. Për aq kohë sa nuk ka alternativë të besueshme në krahun tjetër”, ka thënë ai gjatë takimi me gazetarët në 23 dhjetor.

Gjiknuri, i pyetur se kur do të zyrtarizohen kandidatët e PS-së për zgjedhjet vendore, nënvizoi se shumë shpejt Kryesia do të miratojë një udhëzim për zgjedhjen e tyre.

Këtë, duke vijuar konsultimet me strukturat dhe jashtë strukturave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore