Rama përgënjeshtron raportimet: Kosovarët nuk e kanë braktisur Shqipërinë, më shumë turistë se asnjëherë më parë
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka publikuar disa të dhëna mbi turizmin në vend, ku ka përgënjeshtruar raportimet se Shqipëria është zbrazur nga turistët, pas një dyndje turistike që ka pasur në vitin 2023.
Përmes një publikimi në media sociale, Rama sqaron edhe se turistët nga Kosova nuk e kanë braktisur Shqipërinë, siç raportohet shpesh në media sociale, por e kundërta ka ndodhur.
Ai ka treguar se në Morinë, gjatë një viti, kanë kaluar 175 mijë mjete më tepër se viti i shkuar.
“Ideja që shqiptarët e Kosovës e paskan braktisur Shqipërinë është një zero me xhufkë. Ka më shumë njerëz që shpenzojnë më tepër në vendin tonë”, shkruan kryeministri.
Për më tepër, kreu i Qeverisë flet edhe për rritjen e aeroportit dhe hyrje daljeve nga aty, ku është thyer sipas tij edhe një rekord ditor.
Në fjalët e kryeministrit, gjatë korrikut kanë hyrë nga aeroporti 1.2 milionë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vitin e shkuar. brenda ditës ndërkaq, kanë hyrë 44 mijë persona – një rekord më vete.
Vetë aeroporti ndërkohë ka punuar me kapacitete të shtuara, duke pasur deri në 252 fluturime ditore.
“Për shifrat e aeroportit nuk thonë dot gjë as ata gojët me qime, të atyre që nuk pushojnë duke thënë se na qenkërka zbrazur Shqipëria nga shqiptarët e nga turistët. Por, Aeroporti i Tiranës është në krye të aeroporteve në Europë për rritjen relative me vitet paraardhëse”, vijon ai.
Teksa thotë se për numër pasagjerësh, ka kaluar në vlerë absolute edhe aeroportin e Beogradit.
Në mbyllje, ai përkufizon se është e qartë që ka shumë gjëra për të përmirësuar. Por, ai nuk ka dyshime se sezoni turistik ka qenë shumë i mbarë për vendin.
“Sigurisht që ka shumë gjëra për të korrigjuar, për ta bërë Shqipërinë një vend, të preferuar akoma më tepër për turistët. Shqipëria 2030 është një sfidë, që do ta fitojmë. Shqipëria do jetë kampione e turizmit në rajonin tonë. Pushime të mbara”, përmbyll Rama.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com