Shqipëria

Rama për BBC: Vendet e pasura nuk po na ndihmojnë


“Ne mbështetemi te bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur dhe jo shtetet”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një lidhje direkte me gazetarin e rrjetit televiziv britanik “BBC”, Ben Boulos, të martën e 31 gushtit.

Në fokus të intervistës së tij ka qenë strehimi i afganëve në Shqipëri.

Numri një i qeverisë shqiptare ka bërë me dije se, për sa i përket situatës momentale, vendet e pasura nuk kanë qenë në mbështetje të qeverisë.

Ai ka theksuar se Shqipëria ka pasur ndihmë nga organizatat e ndryshme jofitimprurëse.

“Shqipëria nuk është vend i pasur, por se ka mjaftueshëm për të ndarë me ta”, tha ai.

Po ashtu, kryeministri tha se “ne jemi ftuar që t’i mirëpresim afganët përkohësisht, por e dimë që situata është e komplikuar”.

Ai ripërsëriti faktin se afganët mund të qëndrojnë për sa kohë të duan.

Gazetari Ben Boulos pati gjithashtu një lidhje direkte me studenten afgane të gazetarisë, Nikhbath, e cila është vendosur në Shqipëri.

Ajo ka falënderuar popullin shqiptar, kryeministrin, ministren e Jashtme si dhe ambasadoren amerikane në Shqipëri, për mirësinë e treguar.

Shqipëria ka rënë dakord të pranojë refugjatë për të kaluar transit në SHBA, ku deri më tani po strehohen mbi 600 qytetarë afganë.

Të angazhuar janë edhe fondacione të shumta humanitare, për sjelljen e sigurt të afganëve në Shqipëri.

Pikërisht nga këtu, çdo procedurë e mëpasshme do të kryhet për të vijuar procesin me lejet e qëndrimet amerikane, të cilat do t’u bëjnë atyre të mundur, stabilizimin përfundimtar në SHBA.

Ndërsa, Qeveria shqiptare, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për t’i strehuar këta shtetas.

E ka theksuar këtë gjë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Strukturat akomoduese janë gati dhe të pajisura me çdo mjet të nevojshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore