Shqipëria

Rama pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy qeverive: Presidenti Erdogan atë që thotë, e bën


“Presidenti Erdogan atë që thotë, e bën. Edhe një herë dua ta falënderoj që u gjend pranë nesh qysh në sekondat e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret duke e mbajtur fjalën”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp, pas nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën e 17 janarit.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, “kjo është një ditë e rëndësishme dhe ditë e bukur për ne, siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj”, duke ju referuar Erdogan-it.

“Një ditë shumë e veçantë”, vijoi Rama, “pasi kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekjeje të jashtëzakonshme miqësore dhe dashamirëse për të mbështetur rilindjen e një komuniteti aty ku tërmeti goditi shumë fort 522 familje. Këto janë në kushte shumë më të mira seç ishin përpara se tërmeti t’i linte pa shtëpitë e tyre”.

Ndër të tjera, ai u ndal dhe te marrëveshjet e nënshkruara gjatë kësaj dite, si dhe ato të janarit 2021Ankara.

“Dua të them që lajmi tanimë është realitet – futja e gjuhës shqipe me përzgjedhje në të gjithë arsimin turk”, theksoi kryeministri.

Gjithashtu Rama u ndal dhe te ndërtimi i Spitalit Rajonal Memorial  i Fierit, në një kohë rekord nga buxheti i qeverisë turke.

Ai tha se Erdogan e mbajti fjalën dhe se ndihet i lumtur që nuk kishte vendosur “bast”. “Ky i fundit”, tha Rama, “nuk vlen me Presidentin”.

Numri një i qeverisë shqiptare e falënderoi sërish Presidentin Erdogan, si dhe qeverinë turke për mbështetjen që i kanë dhënë vendit tonë.

“Jemi duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore dhe tatimore. Patjetër do të bëjmë çmos për të fuqizuar marrëdhëniet ekonomike, për të rritur volumin tregtar dhe për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit”, tha Rama.

Përveç kësaj, Rama u shpreh mirënjohës edhe për rolin që Turqia ka pasur në njohjen si shtet i pavarur i Korovës.

Ndërsa për sa i përket dualitetit BE-Turqi, Rama tha se zgjedh Shqipërinë.

“Turqia është një valvul e pashmangshme dhe e patjetërsueshme për sigurinë e BE-së dhe NATO-s”.

Më tej, ai tha se, “ne jemi miq me Turqinë dhe aleatë strategjikë me BE-në”.

“S’jemi për të bërë zgjedhje andej-këndej, zgjedhja është e qartë për ne dhe është Shqipëria”, e përmbylli kreu i qeverisë shqiptare.

Erdogan mbërriti në Shqipëri mëngjesin e kësaj dite. Ai u prit nga Rama ku më pas vizituan qytetin e Kurbinit, për ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave të cilat u ndërtuan me financim nga qeveria turke.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin, Qeveria turke u mobilizua për të ndihmuar Shqipërinë.

Pas konferencës, Presidenti turk pritet të mbajë edhe një fjalim përshëndetës në Kuvendin e Shqipërisë, që sot çeli siparin e sesioneve parlamentare për 2022-shin.

Më pas, do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në kryeqytet, për të përmbyllur kështu dhe vizitën e tij në vendin tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore