Shqipëria

Rama paralajmëron për shkurtime të energjisë elektrike


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se autoritetet kanë gati një plan të shkurtimeve me energji elektrike.

Kjo, për shkak se nuk është blerë sasia energjetike që nevojitej.

Lajmi u bë i ditur në përmbyllje të bashkëbisedimit me kryebashkiakët.

“Është përgatitur plani i shkurtimeve. Flasim edhe deri në shkurtime tërësore të furnizimeve me energji. Ne e kemi bërë këtë plan, por është emergjence. Njerëzit duhet të fillojnë të kursejnë”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, energjia shitet sot me çmimin më të ulët 492.7 euro dhe çmimin tavan 600 euro megavat.

“Sot e një vit përpara është shitur midis 90 dhe 98 euro dhe ajo që ka ndodhur sot, tani është që Shqipëria, ne, nuk kemi arritur dot të marrim, të blejmë të gjithë sasinë që kishim nevojë”, vërejti kreu i qeverisë.

Mes të tjerash, Rama deklaroi para kryebashkiakëve se në institucionet në të cilat ka punonjës që nuk kryejnë asnjë funksion, duhet të ketë shkurtime.

Në këtë mënyrë, shtoi kryeministri, do të mblidhen fonde që po shpenzohen ne mënyrë jo eficente.

Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të deklaronte më 23 mars se autoritetet janë në gatishmëri dhe energjia për qytetarët nuk do të mungojë.

Kjo deklaratë erdhi gjatë një takimi me autoritetet energjetike në Komitetin e Energjisë.

“Sot po menaxhojmë një nga krizat më të mëdha. Për asnjë moment nuk kemi lënë mënjanë agjendën tonë me reformat para se kjo krizë të niste”, garantonte fillimisht Balluku.

Balluku garantoi se qeveria u tregua e kujdesshme me blerjet.

Ajo pohoi se autoritetet i kanë njoftuar qytetarët se kush janë çmimet që “përballemi kur dalim në tregun ndërkombëtar”.

“Qeveria ka marrë përsipër të mbulojë shpenzimet për familjarët dhe biznesin familjar. Pavarësisht kushteve që na ka vendosur moti, ne do të tregojmë gatishmërinë tonë për të mundësuar energjinë”, theksonte ministrja gjatë fjalës së saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore