Shqipëria

Rama paralajmëron një tjetër rritje page për Forcat e Armatosura


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se do të ketë një tjetër rritje page me rreth 22 për qind në vitin 2024 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.

Kjo, ndërsa u bëri një ftesë publike të rinjve që të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

“Një ftesë për të gjithë të rinjtë e të rejat, që ta shohin si një mundësi të re për veten, familjen po edhe atdheun, afrimin e tyre me Forcat e Armatosura të Republikës sot. Pas rritjes së pagave me 30% në vitin 2022 dhe me 7% këtë vit, një tjetër rritje e konsiderueshme deri në 22% do të bëhet realitet në 2024, për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Respekt për punën e vajzave dhe djemve në uniformë, pjesë e vijës së parë të frontit në mbrojtje të territorit të vendit”, shkruan Rama në Facebook.

Një aspekt i rëndësishëm që e cilëson një vend si të fuqishëm është forca e tij ushtarake.

Forca Ushtarake e Shqipërisë vlerësohet e 115-ta nga 142 vende të konsideruara për rishikimin vjetor të “Global Firepower“.

Shqipëria mban një rezultat indeksi të Fuqisë Ushtarake prej 3,0023 pikësh.

Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me Aleancën.

Pjesë e këtij plani është paketa me objektivat e forcës, të cilat janë marrë përsipër nga FARSH si kapacitete operacionale të cilat vihen në dispozicion të NATO për misionet aktuale dhe të ardhshme.

Thelbin e tyre e përbën “Grup-batalioni i Lehtë” me bërthamë b2k të Forcës Tokësore, si dhe elementë të bashkëngjitur nga nënreparte të tjera të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse, e certifikuar nga NATO në shtator të vitit 2018.

Gjithashtu, duke qenë pjesë e NATO Response Force (NRF), janë certifikuar edhe Kompania e Parë dhe e Dytë Komando e Forcës Tokësore, përkatësisht në vitet 2018 dhe 2019.

Në interes të NRF-së, u certifikua më 26 – 27 nëntor 2020 edhe Kompania e Dytë operacionale e Policisë Ushtarake.

Si pjesë e prezencës së përparuar të NATO në Letoni, janë certifikuar pesë toga të Kompanisë EOD të Batalionit të Xhenios, Komanda Mbështetëse.

Kujtojmë që Shqipëria do të mirëpresë sërish stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”.

Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende.

Ajo filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore