Shqipëria

Rama: Nuk kemi me kë të negociojmë, PD i kishte numrat për Presidentin


“Partia Demokratike i kishte numrat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

Është kjo deklarata e kryeministrit të vendit, Edi Rama, pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e kreut të Shtetit.

“Nuk po dimë kë kemi në anën tjetër, pasi ata janë copë e çikë”, u shpreh Rama për opozitën shqiptare.

Sipas tij, mazhoranca do të presë me durim deri në fund – dhe do të japë një emër për president, pasi për momentin nuk e kanë një kandidat.

Rama theksoi se do të presë deri në raundin e tretë për një dakordësi, në raundin e katërt do ta zgjedhin vetë.

Kryeministri ravijëzoi sërish se “Partia Socialiste nuk do të negociojë kurrë me Sali Berishën”.

Ndër të tjera, nuk përjashtoi mundësinë që Presidenti i ri të jetë edhe figurë politike.

I pyetur nga gazetarët se, nëse mazhoranca do të rishikojë kriterin që Kreu i ri i Shtetit të mos jetë aktiv në politik, ai u përgjigj se nuk është vendosur asnjë kriter. “I vetmi kriter”, tha ai, “është që kandidati të mos jetë nga Grupi Parlamentar i PS-së.

“Ne nuk kemi kushtëzuar askënd, ne thjesht kemi thënë që kandidati për President nuk do të jetë nga grupi ynë parlamentar. Nuk kemi vënë kushte të tjera dhe aq më pak të kushtëzojmë të tjerët”.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se është “një fatkeqësi që raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit mbaroi për 5 minuta”.

Sipas tij, opozita e ka bërë punën e vet.

Alibeaj theksoi se “qëndrimi ynë është i qartë, ia kemi komunikuar mazhorancës”.

Kjo që Presidenti të jetë neutral, mbi palët dhe një proces konsensual.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore