Shqipëria

Rama: Nuk ka koordinim në Kabul, e kemi të vështirë t’i marrim refugjatët


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për gazetaren Loiuse Callaghan, për të përditshmen prestigjioze britanike “The Sunday Times”, ka pohuar se “duket se në Kabul nuk ka koordinim dhe kjo e bën të vështirë deportimin e refugjatëve afganë nga ana e vendeve të vogla si Shqipëria”.

“Nuk ka një qendër të përbashkët operative, nuk ka asgjë”, ngre shqetësimin kryeministri. “Secili është më vete”.

Ai shton se janë bërë jo përpjekje, por lutje, për të pasur një pikë të përbashkët kontakti midis vendeve dhe organizatave humanitare ndërkombëtare. Kjo, për pasojë se këto të fundit nuk dinë me kë të flasin dhe marrin mesazhe të përziera, duke shkaktuar akoma më shumë kaos.

Zyrtarët shqiptarë mësohet se janë duke punuar pa pushim këtë javë, për të mundësuar evakuimin e paralajmëruar drejt Shqipërisë. Do të jenë, ashtu si u mësua fillimisht, rreth 350 afganë, që do të përbëjnë grupin e parë të refugjatëve, të cilët do të strehohen në Shqipëri.

Ndërsa, në tërësi, kryeministri ka pranuar më parë se mund të jenë deri në 3 mijë të tillë.

Mirëpo, edhe pse po priten prej një jave thuajse, është e pamundur sipas Ramës “t’i sjellësh njerëzit përtej kangjellave, kur nuk je një shtet i madh dhe i fuqishëm”.

“Edhe për vendet e mëdha, situata duket shumë kaotike”, pranon ai. “Ja pse organizatat kanë ngecur. Shtetet e vogla dhe të mesme nuk mund të kryejnë operacionet siç ishte parashikuar”.

Ndërsa, situata e paqëndrueshme, po kthehet në stresuese për të 13 vendet përtej SHBA-ve, të cilat do të presin afganët.

Ne, afganët e 30 vjetëve përpara/Afganët sot, shqiptarët e 30 vjetëve më parë

Narrativa e kryeministrit Rama vijon të jetë e njëjta kur ai pyetet mbi arsyet e marrjes së këtij vendimi të rëndësishëm, për të mirëpritur refugjatët afganë në Shqipëri.

Një gjest, të cilin ka pasur edhe vende të mëdha që nuk e kanë marrë përsipër.

“E kemi pasur luftën vetë prapa qoshes. Kemi parë njerëz të vriten dhe kemi parë njerëzit tanë që janë vrarë”, rikthehet pas në kohë Rama, duke e vendosur kujtesën në luftën e Kosovës.

Por, ai nuk ndalet aty. Përmend po ashtu edhe 50 vjetët e mundimshme të diktaturës, në të cilët shqiptarët u shtypën dhe u bënë ndër popujt më të varfër në Evropë.

Kur regjimi komunist ra në vitin 1991, shteti ishte i mbërthyer nga paqëndrueshmëria dhe dhuna.

“Për ne është e qartë”, e ravijëzon për të disatën herë në intervista për mediat e huaja kryeministri. “Kemi qenë afganët e tre dekadave më parë, kur i shpëtuam ferrit tonë. Sot, janë ata shqiptarët e 30 vjetëve më parë”.

Ai e qartëson se duhet të gjendemi aty për ta, siç u gjendën të tjerët për shqiptarët asokohe.

“Kjo është një ndër faqet më të bukura të historisë sonë, mendoj unë”, artikulon kryeministri.

Mbi debatin që është përhapur në Evropë, reflektimi i tij nuk ndryshon.

“E kuptoj deri në njëfarë pike debatin mbi emigrimin e jashtëligjshëm në Evropë dhe Britaninë e Madhe. E kuptoj frustrimin. Por, njëkohësisht, situata nuk është ajo ku, afganëve të pakënaqur me regjimin taleban, u thuhet të vijnë të emigrojnë në Evropë”.

Për Ramën, kjo është për të shpëtuar njerëzit, që ndihmuan të shpëtojnë ushtarët e NATO-s.

“Për të shpëtuar ata, të cilët ishin aty për ne!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore