
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë është shprehur optimist për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lëna pezull.
Në takimin e tij me presidenten e vendit Katerina Sakellaropoulou, dhe kryeparlamentarin Konstandin Tasulas, kreu i Qeverisë shqiptare diskutoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve si dhe mbështetja në rrugën drejt integrimit.
“Marrëdhënia e njerëzve të zakonshëm është e shkëlqyer, kjo na ka ndihmuar që ta shihnim njëri tjetrin me sytë e njerëzve të zakonshëm. Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve”.
Për të, edhe dakordësia për t’ju drejtuar një pale të tretë (Hagës në këtë rast) për çështjen e detit tregon se “jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve”.
Ndërkohë Sakellaropoulou theksoi se minoriteti etnik grek në Shqipëri dhe pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Greqi veprojnë si një urë bashkëpunimi midis dy vendeve.
Duke pritur kryeministrin shqiptar në Pallatin Presidencial në Athinë, ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke përfshirë çështjen e zonave detare.
Ajo vuri në dukje gjithashtu se Greqia mbetet një mbështetëse e qëndrueshme e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke shprehur sigurinë e saj se Shqipëria do të përmbushë me shpejtësi kërkesat e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së.
Nga ana e tij, Rama tha se Greqia është një shembull për të gjithë në rajon dhe një avokat i Ballkanit Perëndimor në BE.
Rama është pritur fillimisht nga kryetari i Parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve.
Tasoulas shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e bërë nga vendi ynë në këtë aspekt.
“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar ne Greqi, po ecin përpara”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com