Shqipëria

Rama në Prishtinë – ballë për ballë me studentët


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë zyrtare të hënën e 27 shtatorit në Kosovë, ku do të jetë ballë për ballë me studentët gjatë itinerarit të tij.

Vizita e kryeministrit Rama vjen pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kështu Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të tij kosovar, Albin Kurti, pasi ky fundit më 17 shtator i pati dërguar letër urimi Ramës me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë dhe e kishte ftuar ta vizitonte Kosovën.

Siç merr vesh Albanian Post nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, Rama takimin e parë do ta zhvillojë me Kurtin, më pas do t’i takojë edhe krerët e partive opozitare në Kosovë, duke mos përjashtuar as kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, edhe pse me këtë të fundit nuk kishte raporte të mira sa ishte kryeministër.

Po ashtu kryeqeveritari shqiptar pritet ta dekorojë me medalje shkrimtarin Rexhep Qosjen, ndërkaq në Fakultetin Filologjik në Prishtinë do ta mbajë një debat me studentët.

Takimet e mëparshme

Kryeministri Kurti u takua fillimisht në muajin korrik gjatë punimeve të Konferencës së Parë Ndërkombëtare në “Forumin e Prespës për Dialog”, me kryeministrin Rama dhe Ali Ahmetin nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Në “Forumin e Prespës” u diskutuan temat që kanë të bëjnë me lidhjet transatlantike dhe kthimit të sinergjisë mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë muajit maj, të dy udhëheqësit u takuan gjatë vizitës të organizuar nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kryeministri Kurti, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, të mërkurën e 19 majit, bëri me dije se u takua para darkës tradicionale në Bruksel “me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, miqësisht e pa protokoll, për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona”.

Rama dhe Kurti në Bruksel

Raportet e “ftohta” mes Ramës dhe Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimin me kancelaren, Angela Merkel, në Tiranë më 14 shtator e ka bërë të qartë se Kosova përfundimisht nuk do të jetë pjesë e Open Balkan.

Kurti e ka bindje se të ardhmes së Kosovës nuk i duhen nismat rajonale, siç është Open Balkani.

Ai shtoi se e vetmja çështje që e ndanë atë nga Rama është Open Balkan.

Por, siguroi se kjo ndasi me Ramën nuk e ka cunguar raportin e shëndoshë mes dy liderëve.

Vetëm dy ditë më pas, më 16 shtator, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Rama i ishte kundërpërgjigjur Kurtit duke thënë se  “Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, as një konspiracion rus dhe kinez për të ringjallur Jugosllavinë”.

Për më shumë se pesë minuta, gjatë prezantimit të programit qeverisës, Rama u ndal “te nisma për Ballkanin e Hapur”, duke thënë se “pozicionohet si një veprim për të arritur në destinacionin e dëshiruar: Evropa”.

Për Ramën, mospjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë, me justifikimin se Serbia është armiku, “është thjesht një luftë imagjinare nga kolltuku”.

“Me një armik që Kosova dhe Shqipëria e kanë mundur përfundimisht, në luftën reale me bomba dhe me pushkë sot e 20 vjet kusur vite më parë, falë UÇK-së”, tha kryeministri.

Sipas tij, “foshnjat që lindën në atë luftë nuk ia kanë borxh politikës që luajnë në Beograd dhe Prishtinë”.

Përshëndetja e Ramës dhe Kurtit në Tiranë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore