Kosova

Rama në Kosovë, takohet me Osmanin e Konjufcën – jo edhe me Kurtin


Edi Rama dhe Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten e 6 korrikut pritet të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me fillim nga ora 16:00 në Prishtinë, vetëm një ditë pasi kryeministri kosovar, Albin Kurti, refuzoi takimin me homologun e tij, me të cilin kurrsesi të gjejë pajtueshmëri si të lëvizet përpara.

Kryeministri Rama në po të njëjtën ditë pritet të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku do të shqyrtohet mënyra se si të zgjidhet kriza gjithnjë e më e mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe rruga drejt implementimit të planit tre-pikësh të Bashkimit Evropian.

Shefi i qeverisë shqiptare kohët e fundit është angazhuar intensivisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian, i cili edhe ka bërë përpjekje dhe propozime të vazhdueshme për të gjetur një rrugë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës dhe kthimit në dialogun e Brukselit.

Megjithatë, ndonëse angazhimi aktiv i kryeministrit Rama për të gjetur zgjidhje në krizën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrë konsideratë minimale nga liderët institucionalë në Kosovë, autoriteti dhe konstruktiviteti i tij janë vlerësuar me nota pozitive nga diplomatët evropianë dhe ata amerikanë.

“Ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në krejt këtë krizë, ngase ai është njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ dhe duhet dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa shumë kohë ka investuar për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Emisari Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, më 28 qershor.

Por tensionet në pjesën e banuar me serbë etnikë dhe vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Kosovës nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ka shtyrë kryeministrin Rama që të anulojë mbledhjen tradicionale mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës me arsyen e “mospërshtatjes me rrethanat e reja të krijuara”.

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit kosovar, në një konferencë për media të mërkurën, ndërsa anulimin e mbledhjes së përbashkët e konsideroi si të “paarsyeshme”, theksoi se me kryeministrin Rama do të takohet veç në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por jo në takime të tjera.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama, meqënëse do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që të mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive, që ishte anuluar paarsyeshëm… Nëse kryeministri Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi im”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Rama nga ana tjetër ka propozuar format më të ngushtë të mbledhjes ekzekutive Kosovë – Shqipëri, duke përfshirë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga të dy vendet për të diskutuar lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, porse kjo ide nuk është pranuar nga kreu i ekzekutivit kosovar.

Madje, kryeministri Kurti me ironi ka deklaruar se “demokracia, paqja dhe siguria” në Ballkanin Perëndimor nuk rrezikohen nëse nuk zhvillohet një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa ka kushtëzuar takimin me kreun e qeverisë shqiptare vetëm pas mbledhjes së dy qeverive.

Ndërkaq, takimi mes kryeministrit Rama dhe presidentes Osmani vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, por edhe mes Shqipërisë, ndërsa në politikën kosovare gjithnjë e më shumë po shihet një “çarje” ndër-institucionale.

Kryeministri Rama nuk e prezanton tashmë vetëm një shtet të shqiptarëve dhe një republikë të vogël ballkanike, por një shtet anëtar në NATO dhe në paradhomë të Bashkimit Evropian. Dhe shtetet anëtare të NATO-s përpos ombrelles së sigurisë dhe privilegjeve, kanë edhe detyrime për mbrojtje të politikave të traktatit veri-atlantik.

Shuarja e tensioneve në veri është interes strategjik edhe i Shteteve të Bashkuara dhe kryeministri Rama e di këtë, prandaj ka marrë “anën pragmatike” të shtetit aleat e jo “anën ideologjike” të kryeministrit Kurti, ndërsa presidentja Osmani aktualisht mbetet “pragu i fundit” i mbrojtjes së vlerave të përbashkëta euro-atlantike të shqiptarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore