Shqipëria

Rama mbron idenë e legalizimit të kanabisit për farmaceutikë


Gjatë një takimi konsultues me qytetarët e Dibrës në kuadër të Këshillimit Kombëtar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është ndalur edhe te pika e legalizimit të kanabisit.

Sipas tij, legalizimi i saj mund të shërbejë si lëndë bazë për farmaceutikën.

Rama ka folur edhe për mundësitë e punësimit apo të ardhurave që ajo sjell.

“Legalizimi i kanabisit mjekësor, pra jo për përdorim nga të gjithë, por si lëndë bazë për farmaceutikën, po tregon që ka të ardhura të rëndësishme në ekonomi”, vërejti kryeministri fillimisht.

Referuar idesë, ai shtoi se legalizimi krijon punësim, më tej një zë të ri në eksport dhe patjetër krijon më shumë të ardhura.

Por, vijon kreu i qeverisë, duke pasur parasysh historikun dhe shumëçka tjetër që unë dhe ju e dimë, duhet të mendohemi dy herë para se ta marrim këtë vendim.

Për këtë arsye, Rama theksoi se po e ndan këtë pikë diskutimi me qytetarët.

“Kur vjen puna tek partnerët ata janë prapë skeptikë për këtë”, nënvizoi kryeministri.

Kjo, për Ramën, nuk lidhet me arsyetimin sa me faktin që ata nuk jetojnë në Shqipëri.

“Ata nuk janë të lidhur me buxhetin tonë dhe për ta është më kollaj më mirë se t’i hymë një dhimbje koke, më mirë mos e bëni fare”, deklaroi në përmbyllje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore