Sport

Rama lëvdon kombëtaren kuqezi: “Një pamje që s’e kemi parë kurrë”


Në tabelën e Grupit E një shqiponjë kuqezi ka ngërthyer kreun duke mos e lëshuar më prej disa muajsh.

E kjo u përforcua me fitoren e shkëlqyer nga Republikës Çeke me rezultatin e pastër 3-0, për t’i dhënë udhë fluturimit drejt Berlinit për Europianin e vitit 2024.

“Mirëmëngjesi me këtë pamje që s’e kemi parë kurrë dhe me një falënderim të madh për ata të cilët e krijuan, djemtë e mrekullueshëm të kësaj Kombëtareje, trajnerin e tyre të jashtëzakonshëm dhe ndihmësit e tij fantastikë, e padiskutim supertifozët kuqezinj që janë lojtari 12 i skuadrës sonë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i Qeverisë.

Shqipëria dhe Çekia u përballën në “Air Albania” në një duel që flet shumë për kualifikimin e tyre në Euro 2024.

Triumfi kuqezi e afron skuadrën e Sylvinho-s me kualifikimin edhe pse matematika e mban ende jo të kualifikuar zyrtarisht.

Kuqezinjtë arritën të merrnin maksimumin nga kjo sfidë, duke dominuar në çdo aspekt mbi kundërshtarin, e ndikuar kjo dhe nga një karton i kuq për çekët gjatë pjesës së parë.

Duhet kujtuar se Çekia ishte skuadra e vetme në Grupin E që nuk kishte humbur asnjë ndeshje deri më tani.

Ndërsa, kuqezinjtë ishin skuadra që kishin fituar çdo ndeshje në shtëpi, madje me rezultat 2-0.

Dhe, kështjella “Air Albania” mbeti e pathyeshme edhe këtë herë, duke i bërë ballë një stuhie të madhe.

Ndeshja filloi mirë për miqtë që provuan të gjuanin portën që në sekondat e para të takimit. Megjithatë, Etrit Berisha ishte në lartësinë e duhur, duke mos u befasuar.

Minutat e para të ndeshjes flisnin më shumë për çekët, por kuqezinjtë arritën të gjenin golin e avantazhit në minutën e nëntë me gjuajtjen e parë në portë.

Në minutën e 25-të, qendërsulmuesi mik, Mojmir Chytil u ndëshkua me karton të verdhë pas një faulli taktik duke ndaluar një kundërsulm të kuqezinjve.

Vetëm disa minuta më vonë ai do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.

Pikërisht, në minutën e 39-të, Chytil realizoi një gol me dorë në portën e Berishës, çfarë do i sillte më pas edhe ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë.

Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 1-0 të kuqezinjve, ndërsa pjesa e dytë do të ishte edhe më tragjike për miqtë.

Në minutën e 51-të, duke shfrytëzuar një kundërsulm, Shqipëria do të realizonte golin e dytë, teksa topin në rrjetë do e dërgonte Taulant Seferi.

Sulmuesi nga Tetova, Seferi, do të ishte dhe autori i golit të tretë të kuqezinjve. Në minutën e 73-të, një asistim perfekt nga Mirlind Daku e nxori atë të vetëm me portën e boshatisur dhe ai nuk e pati të vështirë të realizonte.

Arbnor Muja do të realizonte golin e katërt për Shqipërinë në këtë takim, por goli i anësorit të Antwerp-it në Belgjikë do të cilësohej si pozicion jashtë loje pas rishikimit në VAR.

Minutat e mbetura të lojës, dy skuadrat luftuan për të gjetur golin, edhe pse ndeshja praktikisht ishte e mbyllur, por asnjë prej tyre nuk ja arriti.

Me rezultatin e ndeshjes, Shqipëria ruan pozitën e parë në grup por tashmë e shkëputur nga vendi i dytë. Janë 13 pikë në renditje për kuqezinjtë, që ndiqen nga Polonia me 9 pikë. Çekia dhe Moldavia kanë nga 8 pikë, po me çekët që kanë një ndeshje më pak. Dhe në vendin e fundit me 1 pikë qëndrojnë Ishujt Faroe.

Shqipëria do të kthehet në aksion për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në nëntor, kur përballet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshja e parë luhet më datë 17 dhe tri ditë më vonë do të jetë takimi i fundit i cili zhvillohet përballë tifozëve kuq e zi në “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore