Shqipëria

Rama kritikon sërish Vuçiç dhe Kurtin – Paralajmëron ftohje të raporteve me Serbinë, nëse 3 policët nuk lirohen


Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Ka qenë ky paralajmërimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në rast se tre policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia nuk kthehen brenda javës në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Qeverisë shqiptare ka bërë me dije masën ndaj Serbisë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa!”, shkruan Rama.

Megjithatë, nga ana tjetër, kryeministri vijon të mbetet i mendimin se e humbura e madhe në gjithë këtë mes, do të jetë Kosova, duke qenë se Serbia, sipas tij, mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar.

“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës”, shton më tej Rama.

Ndërsa, në mbyllje të postimit të tij, ai ka vijuar t’i bëjë një kërkesë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i përshkruan situatën, duke thënë se veriu edhe mund të kthehet në një “Republikë të KFOR-it”, nëse situata vijon e tillë.

“Albin dil nga guaska e vetëizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, e përmbyll Rama thirrjen e tij për Kurtin.

Ndërsa, më parë, ai ka bërë me dije se e ka krijuar një draft-propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë, të cilin ia ka dërguar për dijeni presidentit francez, Emmanuel Macron, si edhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky draft, detajet e të cilit ende nuk janë bërë publike, siç pretendon kryeministri, mundet të japë një zgjidhje nëse merret parasysh nga palët.

Ai ka marrë gjithashtu përgëzime nga struktura të larta evropiane dhe mundet t’i ofrohet Kosovës dhe Serbisë në tavolinën e dialogut, pavarësisht se një takim mes Kurtit dhe Vuçiçit duket i largët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore