Shqipëria

Rama: Investimet në Shkodër janë penguar nga Bashkia


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në qytetin e Shkodrës, ku prezantoi dhe kandidatët për deputet në atë qark.

Ai theksoi se puna e qeverisë për Shkodrën nuk ka qenë e mjaftueshme, sepse ka hasur pengesa nga qeverisja vendore.

“Në Bashkinë e Shkodrës jemi ndeshur përballë murit qorr dhe shurdh të qeverisë vendore”, tha Rama.

Sipas tij, figurat e reja për kandidatë i kanë rrënjët në këtë komunitet dhe janë figura me eksperiencë.

Rama, ndër të tjera, u shpreh i keqardhur me gjendjen e stadiumit. Ai shpjegoi se qeveria e tij kishte kërkuar ta drejtonte, por nuk ishte lejuar nga Bashkia e Shkodrës.

Kryeministri pranoi që për Shkodrën nuk janë bërë të njëjtat investime si për Vlorën apo Sarandën, por premtoi ndërtimin e një vije liqenore, e cila e ka projektin gati.

Investimet

Në vazhdën e investimeve, Rama citoi ndërtimin e Muzeut të Fotografisë Marubi, të cilin e quajti një vlerë e rrallë.

Nga ana tjetër, ai shtoi se është gati baza ligjore dokumentare për Muzeun e Kol Idromenos.

Rama u ndal edhe tek investimet e bëra në zonat e tjera në qarkun e Shkodrës, siç është ajo e rrugës në Malësinë e Madhe dhe investimet në Vaun e Dejës.

“Mjafton të shihet Tamara si ishte dhe si është”, krahasoi kryeministri.

Ai gjithashtu shtoi se do të bëhet restaurimi i xhamisë së Plumbit, e cila sipas kryeministrit është një vlerë për myslimanët shkodranë, por jo vetëm. Qëllimi, sipas Ramës, është që të ndërtohet një park, me të gjitha pemët frutore që përmenden në Kuran.

Në takim u prezantuan kandidatët, të cilët mbajtën fjalimin e tyre. Kandidatët e Partisë Socialiste në Shkodër janë Edona Bilali, e cila kryeson listën, e ndjekur nga Paulin Sterkaj, Benet Beci dhe Ilir Beqaj.

Rama e vlerësoi skuadrën e Shkodrës, duke e cilësuar atë si një ndërthurje mes “sulmuesve dhe domosdoshmërisë”.

Reforma në arsim

Nga Shkodra, Rama ceku edhe reformën për universitetin, duke e quajtur atë si bazë solide për Shqipërinë e vitit 2030. Kryeministri premtoi 10 milionë euro investime për universitetet dhe solli në vëmendje praninë e universiteteve të huaja brenda sistemit shqiptar.

“Do t’u mundësojmë vajzave dhe djemve shqiptarë të studiojnë këtu si në universitetet e huaja”, tha Rama në fjalimin e tij.

Rikujtojmë se Universiteti Teknik i Stambollit është i pari që u bë pjesë e kësaj nisme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore