Shqipëria

Rama inspekton kantierin te “5 Maji”: Gati në fund të vitit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inspektuar punimet nё kantierin në lagjen “5 Maji”.

Në këtë zonë ndërtimi, pritet që deri në fund të vitit, të strehohen 11 mijë banorë, në rreth 3 mijё e 500 apartamente.

Përveç kryeministrit, të pranishëm gjatë inspektimit ishin edhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,

Ahmetaj tha se “mё 1 shtator fillojnё punimet pёr ndёrtimin e fasadёs, kurse nё fund tё vitit pritet tё strehohen njerёzit”.

Hapësira do tё pёrmbajё pesë godina publike, tre objekte arsimore, një shkollë profesionale, kisha, xhami, qendra franceze e edukimit të Teknologjisë Digjitale për rininë “ECOLE 42”.

Ndërsa Veliaj tha se tashmë ka filluar puna me infrastrukturën.

“Tani kemi filluar me infrastrukturën. Kalojnë shpronësimet, javën tjetër hapet aksi rrugor”, tha ai.

Kryebashkiaku dha detaje se “do jetë i gjithi një rrethrrotullim i madh, që lidh këtë rrugë me pingulen tjetër që do të jetë deri te Bregu i Lumit, pastaj bashkohet me unazën e pestë me urë eventualisht. Në këtë lagje kemi dy institucione fetare, një kishë dhe një xhami, meqë komuniteti është goxha i madh”.

Po ashtu Veliaj u shpreh se godina do tё furnizohet me ujё pёrmes linjёs sё re tё Bovillёs, që po punohet aktualisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore