Shqipëria

Rama i dorëzon ish-ambasadores amerikane Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dorëzuar ish-ambasadores amerikane Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqia që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla”.

Sipas tij, mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë “të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht”.

Kryeministri shqiptar madje mirëpret me batutë diplomatin e ardhshëm David J. Kostelancik se “teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë”.

Letra përshëndetëse e Ramës për Yuri Kim:

“Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë.

Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në Instagram, e qeshur edhe kur peizazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura, nga frëngjia e Twitter-it, sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore; herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falënderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend, sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm.

Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e superfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave.

E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare dhe sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”…. Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi. Por ky do të ishte një shkrim i gjatë, për të cilin këtu nuk është asfare vendi.”

Yuri Kim

Kujtojmë që, Yuri Kim do të marrë një detyrë me rëndësi të lartë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Ajo është caktuar në funksionin e zëvendës ndihmës sekretares kryesore për Çështjet Evropiane (dhe ushtruese e detyrës së ndihmës sekretarit derisa të konfirmohet Jim O’Brien), duke filluar nga 10 korriku.

Kim ndërkaq në Shqipëri pritet të zëvendësohet nga David Kostelanchik në rolin e ambasadorit amerikan në Tiranë.

Yuri Kim, një diplomate karriere, ishte një figurë që Shqipëria nuk e njihte, por ajo e njihte mirë rajonin.

Mbi të gjitha, ajo do të bëhej një ndër zërat – në mos më – të fuqishëm në diplomacinë amerikane në Tiranë.

Kim kishte ushtruar detyra të ndryshme në Evropë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Ndër to, edhe drejtoreshë e Çështjeve të Evropës Jugore, ku ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe gjithë Mesdheun Lindor, apo drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Evropiane të Sigurisë dhe Politiko-Ushtarake.

Por, akoma më herët, Kim ishte edhe ndihmëse e posaçme e Sekretarit të Shtetit në SHBA, Colin Powell.

Pra, një e diplomuar në Filozofi nga Universiteti i Cambridge-it, të cilës, ekspertiza e pellgut ballkanik dhe mesdhetar, nuk i mungonte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore