Shqipëria

Rama: Edhe vende të BE-së duan të afrohen në Open Balkan


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë samitit të nismës rajonale Open Balkan, i cili po zhvillohet në Beograd të Serbisë, ka bërë me dije se jo vetëm rajoni duhet t’i bashkohet asaj, por edhe vende të tjera përtej, ku nuk ka fshehur se dëshira për afrim me iniciativën ka pasur edhe nga vende që i përkasin Bashkimit Evropian.

“Është shumë e rëndësishme për ne, që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiteshin kësaj nisme”, theksoi kryeministri. “Këtu përfshihen edhe të BE-së, të cilat i përkasin hapësirave ku ne për shumë vite, duam të ftohemi”.

Më tej, kryeministri ka nënvizuar faktin se Ballkani për Evropën është po aq i rëndësishëm sa Evropa për Ballkanin, ku në vëmendje ka sjellë rastin e marrëveshjes për kalimin me karta identiteti mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Ramës, kjo zgjidhje, është një model i bazuar tërësisht nga nisma Open Balkan, e cila lëvizjen me karta identiteti në kufi, e ka në themel të sajin.

Duke parashtruar këtë premisë, ai ka falënderuar edhe presidentin serb, Alexander Vuçiç, për arritjen e marrëveshjes.

Furnizimi me energji elektrike ka qenë në thelb të fjalës hapëse të kreut të Qeverisë po ashtu, i cili theksoi se të gjitha vendet e rajonit, duhet të mbështesin njëra-tjetrën në këtë aspekt, parë edhe krizën e madhen në Evropë.

Por, me nismën Open Balkan, kjo krizë mund të zgjidhet lehtë, nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, të cilat lejojnë shfrytëzimin e potencialeve të vendeve fqinje.

Kapacitetet e përballimit të emergjencave janë po ashtu aspekt me rëndësi të veçantë në nismën Open Balkan, me ndryshimet klimatike që kanë ndodhur vitet e fundit.

Teksa, sa i përket arritjeve të deritanishme, sipas kreut të Qeverisë, nuk ka shumë vend për polemika, pasi rezultatet tregojnë rritjen e madhe në shumë sektorë të tregtisë, teksa me atë çfarë duhet të jenë nivelet e shifrave, ai shtoi se do të jenë shumëfish më të larta.

Në përmbyllje, Rama e cilësoi të panevojshëm , përshkrimin e mëtejshëm të një nisme si Open Balkan, e cila duket qartësisht se çfarë qëllimesh ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore