Shqipëria

Rama angazhon ndërhyrjen e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë në terren


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se të gjithë strukturat e Ministrisë së Bujqësisë janë në terren nga veriu në jug të vendit.

Kjo, për të siguruar fillimisht funksionimin me kapacitet të plotë të hidrovorëve.

Së dyti, nënvizoi kreu i qeverisë, për të ndërhyrë me eskavatorë në kanalet kulluese.

Sakaq, këto struktura janë angazhuar edhe për lëvizjen e tufave blegtorale që gjenden në zona të rrezikuara dhe mundësimin e tërheqjes sa më të shpejtë të ujit nga tokat bujqësore.

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri deklaroi më herët se ka një përmirësim “të konsiderueshëm” të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë.

Kjo, sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile.

Institucioni shtetëror bëri me dije se uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Mbrojtja thotë se ka prani uji në rreth 4 mijë e 356 hektarë sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë.

Edhe në këto zona, sipas njoftimit zyrtar, situata po monitorohet me vëmendje.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës.

Këta të fundit, janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.

Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, paralajmëron Mbrojtja, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.

“Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

Reshjet e dendura të shiut, situata problematike në Shkodër dhe Lezhë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore