Lajme

Raketat në Poloni janë nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, konfirmon presidenti polak


Skenari më i mundshëm, është ai se dy raketat që ranë në territorin polak dhe lanë të vrarë dy persona, janë lëshuar nga sistemi mbrojtës ukrainas.

Kështu ka konfirmuar presidenti polak, Andrzej Duda, pas përmbylljes së hetimeve të para mbi ngjarjen.

Nëse kjo gjë vërtetohet plotësisht, atëherë do të përligjte edhe versionin zyrtar të Kremlinit, i cili është ai se pala ruse, nuk ka asnjë përfshirje në çfarë ndodhi në territorin polak, të martën e 15 nëntorit.

I njëjti version është dhënë edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili bëri me dije se gjasat më të mëdha, janë ato se raketat nuk janë lëshuar nga Rusia, pa specifikuar detaje të çështjes.

Ndërsa, tre zyrtarë amerikanë, kanë thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se dy raketat e rëna në Poloni, të cilat i morën jetën dy personave, nuk janë lëshuar nga Rusia por nga pala ukrainase.

Raketat e rëna në Poloni janë lëshuar nga Ukraina, sipas 3 zyrtarëve amerikanë

Kjo, në përpjekje për të interceptuar disa raketa të tjera ruse, të cilat do të godisnin zonën perëndimore të Ukrainës.

Duke cituar AP-në, për shkak se ende nuk lejohen deklarat zyrtare mbi çështjen, tre zyrtarë të lartë amerikanë kanë pohuar në kushtet e anonimatit se raketat, edhe pse të prodhimit rus, janë lëshuar nga Kievi për të shkatërruar raketat e vërteta të lëshuara nga Rusia.

Në të tilla kushte, merr vlerë shtesë edhe deklarata e presidentit amerikan, Joe Biden, nga Bali i Indonezisë, ku po merr pjesë aktualisht në samitin e vendve të G20.

Nga ana e Kremlinit, është përshëndetur ky qëndrim i amerikanëve, i cili është cilësuar si “i matur”.

“E vlerësojmë përgjigjen e matur të SHBA-ve ndaj lajmit të rënies së raketave në Poloni”, tha zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërtimi i ngjarjes

Pas raportimeve në mediat polake, erdhi deklarata e një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane, i cili tha se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.

Më pas u vendos mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Polonisë, e cila sapo përfundoi.

Aleatët reaguan menjëherë duke u shprehur se po kryejnë verifikime dhe se solidarizohen me Poloninë.

Raketat ruse goditën një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.

Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.

“Qetësi dhe maturi”

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki bëri thirrje nga ana tjetër për “qetësi dhe maturi” pas mbledhjes “urgjente” të qeverisë duke deklaruar se “kaosi është një armë ruse”.

Kreu i qeverisë polake theksoi fillimisht se janë ngritur të gjitha shërbimet në një gjendje gatishmërie të shtuar.

Ai konfirmoi se ambasadori rus në Poloni është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sipas tij, autoritetet polake po monitorojnë hapësirën ajrore me vëmendje të veçantë dhe po kryejnë analiza dhe konsultime me aleatët në lidhje me përdorimin e nenit 4 të NATO-s.

“Ne kemi vendosur të rrisim gatishmërinë luftarake të degëve individuale të Forcave të Armatosura polake, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri polak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore