Kosova

Raketat “Javelin” shqetësojnë lobuesen e Serbisë: Armatosja e Kosovës s’do të çojë në paqe – SHBA i hedh benzinë zjarrit


Claudia Tenney

Claudia Tenney, kongresiste amerikane dhe lobuese për Serbinë, nëpërmjet një deklarate të lëshuar të enjten në mbrëmje, shprehu paknaqësinë lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dërgimin e sistemit të fuqishëm raketor Javelin në Kosovë, duke e cilësuar si hap që mund të nxisë shpërthimin e konfliktit në Ballkanin Perëndimor.

“Ky vendim vetëm i hedh benzinë zjarrit dhe e bën më të mundshëm shpërthimin e një konflikti. Më tej, ky vendim e shpërblen Kosovën përderisa ajo vazhdon të injorojë angazhimet e mëparshme ndërkombëtare, siç janë ato për të cilat është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013″, shkroi kongresistja amerikane nga radhët e Republikanëve.

“Dërgimi i armëve shtesë në Kosovë nuk do të çojë në paqe. Serbia dhe Kosova arritën përparim përmes diplomacisë drejt një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Kjo është arsyeja pse unë do të prezantoj një rezolutë të përbashkët të normalizimit sipas Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve sapo kongresi të njoftojë zyrtarisht për shitjen”.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi për “Radio Evropa e Lirë (REL)” se Kosova kërkoi që të blejë sistemin raketor Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarë amerikanë, ndërsa sipas  Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), në pako përfshihen gjithsej 246 raketa anti-tank Javelin FGM-148F dhe 24 njësi për lëshimin e raketave.

DASH-i njoftoi se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, paraqiti të enjten para kongresit propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave dhe pajisjeve të tjera për Kosovën – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik, në përputhje objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Shitja e këtyre armëve mbështet politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL-in.

Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përveç sisitemit të fuqishëm turk OMTAS për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, pritet të jetë edhe sistemi anti-tank amerikan Javelin, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës kohën e fundit – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë.

Sistemi anti-tank Javelin është një prej armëve më të sofistikuara në botë, i cili përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, ndërsa mund të operojë në të gjitha kushtet e atmosferike, ditën dhe natën, madje nuk kërkon kontroll të mëtejshëm pas lëshimit të raketës në drejtim të objektivit. Ajo mund të përshkojë 2 kilometra për afërsisht 14 sekonda.

Pesha e përgjithshme e sistemit të prodhuar nga njësia raketore Lockheed dhe Raytheon (RTX), duke përfshirë platformën e kontrollit dhe raketën në tubin e lëshimit është rreth 22 kilogramë, ndërsa raketa peshon rreth 15 kilogramë. Ajo shkon drejt objektivit përmes rrezeve infra të kuqe, ndryshe nga armët e mëparshme anti-tank që duhet të drejtohen nga operatori.

Operatori mund të ripozicionohet menjëherë pas lëshimit. Raketa mund të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pas lëshimit. Sistemi vepron në një distancë nga 65 deri në 4000 metra, ndërsa një Javelin, duke përfshirë sistemin e lëshimit dhe raketën, kushton rreth 180 mijë dollarë amerikanë. SHBA e përdori për herë të parë në Irak dhe Afganistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore