Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ka thënë se vendimin për rihapjen e urës së Ibrit mund ta marrin vetëm serbët.
“Vendimin për hapjen eventuale të urës kryesore të qytetit mund ta marrin vetëm serbët, qytetarët e Mitrovicës dhe veriut, të cilët kanë paguar një çmim të lartë që serbët të mbesin të jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në komunat e tjera në veri”, shkroi Radojeviç në Instagram.
Madje sipas tij, për mbrojtjen e qytetit “është paguar një çmim i lartë”.
“Nga viti 1999 deri në vitin 2013, në urën kryesore të qytetit ka pasur mbi 1 mijë sulme nga drejtimi i pjesës jugore të Mitrovicës. Në ato sulme janë plagosur qindra serbë dhe disa bashkëqytetarë tanë humbën jetën duke mbrojtur qytetin dhe veriun”, ka pretenduar ai.
Siç theksoi Radojeviç, liria e lëvizjes në veri të Mitrovicës nuk i mohohet askujt.
“Pjesa e sotme veriore e Mitrovicës Veriore është e vetmja zonë multietnike në Republikën e Kosovës, me vendbanime të përziera. Nuk ka serb në pjesën jugore të Mitrovicës”, potencoi ai.
KFOR: Rihapja e urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut politik
Ndërkaq të shtunën, misioni i KFOR-it në Kosovë është deklaruar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut për ta hapur urën mbi lumin Ibër për qarkullim.
Në një komunikatë për media nga KFOR-i është thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij; bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Gjithashtu, ky vendim hasi në kundërshtime të ashpra nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, drejtorisë i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, dhe partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëkohësisht e dirigjuar nga Beogradi, Lista Serbe.
Të gjithë këta ishin njëzëri në deklarimin e tyre kundër vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com