Sport

“Racizmi duket gjë normale në La Liga, presidenti nuk kritikon racistët por më sulmon mua” – thotë Vinicius


Ylli i Real Madrid-it, Vinicius Junior ka thënë se “racizmi është normal në La Liga” dhe se “kampionati që dikur i përkiste Ronaldinho-s, Ronaldo-s, Cristiano-s dhe Messi-t, sot i përket racistëve”, pasi u sulmua edhe një herë në baza racore të dielën mbrëma.

Reprezentuesi brazilian u vu në shënjestër nga thirrjet nga pjesë të turmës në “Mestalla” gjatë humbjes 1:0 të Real Madridit ndaj Valencia-s.

Ndeshja u ndërpre në pjesën e dytë për 10 minuta pasi 22-vjeçari dukshëm i zemëruar e ftoi arbitrin dhe u drejtua drejt tifozëve që mendonte se e kishin abuzuar me të.

Vinicius u përjashtua më vonë për sjellje të dhunshme në kohën shtesë, pas një grindjeje me sulmuesin e Valencia-s, Hugo Duro-n.

Ai shkroi në Tëitter pas ndeshjes: “Nuk ishte hera e parë, as e dyta, as e treta. Racizmi është normal në La Liga. Në futboll ata mendojnë se është normale, federata po ashtu – dhe kundërshtari e inkurajon atë”.

“Jam shumë i trishtuar. Kampionati që dikur i përkiste Ronaldinho-s, Ronaldo-s, Cristiano Ronaldo-s dhe Lionel Messi-t sot i përket racizmit”, shtoi braziliani.

“Më vjen keq për spanjollët që nuk pajtohen, por sot, në Brazil, Spanja njihet si një vend i racistëve. Dhe për fat të keq, për diçka që ndodh çdo javë, nuk kam asnjë mbrojtje dhe nuk di çfarë të them”, shtoi Vinicius.

“Por unë jam i fortë dhe do të shkoj deri në fund kundër racistëve. Edhe nëse është larg nga këtu”, ka thënë ylli i Real Madrid-it.

Reagimi erdhi edhe nga presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, i cili e akuzoi Vinicius-in se dy herë nuk u paraqit në takimet e organizuara me ligën në lidhje me ankesat e tij.

Tebas gjithashtu i tha Vinicius “është e nevojshme që të informoheni”, duke shtuar: “Mos lejoni që të manipuloheni”.

Këto komente shkaktuan një përgjigje të zemëruar nga anësori i Reali-t, i cili iu përgjigj me anë të një postimi në Tëitter: “Edhe një herë, në vend që të kritikojë racistët, presidenti i La Liga-s shfaqet në rrjetet sociale për të më sulmuar mua”.

“Aq sa flisni dhe bëni sikur nuk lexoni, imazhi i kampionatit tuaj tronditet. Të shfajësosh veten vetëm të bën të barabartë me racistët. Unë dua veprime dhe ndëshkime”, shtoi anësori brazilian.

La Liga ka thënë se do të kërkojë të gjitha imazhet e disponueshme në mënyrë që të hetojë se çfarë ndodhi në mbrëmjen e incidentit.

“Nëse identifikohet ndonjë krim i urrejtjes, ne do të ndërmarrim veprimet e duhura ligjore,” tha liga në një deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore