Lajme

Qindra miliona të humbura çdo vit – nga 100 mijë biznese në Kosovë mbi 52 mijë nuk paguajnë tatim fare


Albin Kurti ne ATK

Përkundër se shmangia nga tatimi apo kontributeve të tjera që përcaktohen me ligjin e Kosovës është vepër penale dhe parashihet dënim deri në tetë vjet burgim, në Kosovë janë mbi 52 mijë biznese që nuk paguajnë tatim fare.

Për ta vënë në perspektiv sa skandaloze është kjo shifër, ajo përbën më shumë se gjysmën e bizneseve aktive në Kosovë.

Të dhënat që Administrata Tatimore e Kosovës i ka dërguar për Albanian Post tregojnë se deri me 31 dhjetor të vitit 2021, biznese aktive kanë qenë 105 mijë e 334. Nga këto biznese janë vetëm 52 mijë e 676 që paguajnë tatim.

Janë plotë 52 mijë e 658 biznese të tjera që nuk e paguajnë obligimin e tyre tatimor, duke i shkaktuar kështu shtetit qindra miliona euro humbje.

Po nga të dhënat e ATK-së dërguar për AP-në, thuhet se vlera e paguar nga bizneset që e paguajnë tatimin është mbi 540 milionë euro.

Meqë numri i bizneseve që nuk paguajnë është përafërsisht i njëjtë, atëherë janë mbi gjysmë miliardi euro që shteti i humbë si pasojë e mos pagesës së tatimit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 307, pika 3, kushdo që me qëllim fsheh apo i shmangë, pjesërisht apo tërësisht, të ardhurat, varësisht nga shuma e fshehjes, dënohet deri në tetë vjet burg.

Shumë i vetëdijshëm për këtë situatë skandaloze është ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai e pranon se “në Kosovë një ndër pikat më të dobëta të të bërit biznes është informaliteti e që vjen si dukuri e mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit”.

Gërxhaliu alarmon se “definitivisht është koha kur duhet të punohet” në drejtimin e rregullimit të informalitetit.

“Vetë fakti që kemi një numër kaq të madh të kompanive aktive në vitin 2021 dhe kemi vetëm gjysmën e tyre si tatimpagues brenda vitit, është një indikator shqetësues”.

Safet Gerxhaliu

Ai shton se “dua të besoj që kjo gjendje do të mobilizoj institucionet”.

Por, institucionet aktualisht nuk merren me këtë punë fare.

Vite më parë, Albin Kurti, tash kryeministër atëherë opozitar, e kishte përmendur si çështje shumë shqetësuese pikërisht shmangien e madhe që bëjnë bizneset nga tatimet.

“Kjo është faktikisht evazion fiskal”, kishte deklaruar Kurti në një intervistë në Radiotelevizionin e Kosovës në vitin 2014.

Megjithatë, qeveria e re tash nuk e ka përmendur si shqetësim këtë “evazion fiskal”.

Por, jo vetëm politika. Edhe vetë ATK-ja që duhet të inspektoi keqpërdorimet dhe ikjet tatimore që e zhvendosin një pjesë të madhe të ekonomisë së vendit në ifnormalitet, nuk është se e bën një gjë të tillë.

Përkundër se qindra mijëra biznese nuk paguajnë tatim në Kosovë, për periudhën e pesë vjeçarit të fundit nuk janë bërë më shumë se rreth 500 kallëzime penale për shmangie tatimore, apo deklarim të rrejshëm tatimor.

Por, kjo nuk është shkalla e vetme e dështimit.

Gjykatat po ashtu janë shumë pasive në trajtimin e lëndëve.

Siç ishte njoftuar të media gjatë vitit të kaluar, për pesë vjet Gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar vetëm tetë dënime me burgim për shmangie tatimore dhe një dënim me burgim për deklarim të rremë tatimor.

Por, është një mundësi, thotë Gërxhaliu – “digjitalizimi”.

“Kuptohet që ardhmëria e ekonomisë kosovare është digjitalizimi”, pohon ai.

Por, “normalisht bazuar në sundim të rendit dhe ligjit”.

Pra, përkundër se një problem i madh, “zgjidhja është shumë e thjeshtë”.

“Në rend të parë duhet të ketë sundim të renit dhe ligjit dhe qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo të ketë qasje selektive, mbi të gjithë duhet të bëhen kampanja vetëdijesuake për biznese që të jenë në rregull, por kuptohet që zgjidhja konkrete e këtij problemi është digjitalizimi”, përsëritë Gërxhaliu.

Nga Qeveria e Kosovës – siç zakonisht ndodhë – nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Albanian Post rreth situatës absurde ku mijëra biznese bëjnë shmangie tatimore, megjithatë ato askush nuk i dënon e as nuk ua ndalon aktivitetin biznesor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore