Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), së fundmi ka realizuar përkthimin e intervistës së Simone de Beauvoir në lidhje me veprën e saj tashmë me rëndësi të lartë në kulturën feministe perëndimore, “Seksi i dytë”.
Kjo intervistë edhe pas 25 vjetësh është po aq relevante për të mos thënë edhe më shumë, marrë parasysh kundërshtimin që i bën sistemit patriarkal, pa rënë në gracën matriarkale.
Një nga anëtaret e kësaj qendre, Riola Morina, ka marrë mundin ta përkthej intervistën e famshme të filozofes së shquar franceze, duke e sjellë atë për audiencën e gjerë shqipfolëse.
Ndërsa, se Simone de Beauvoir ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën e etikës, politikës e teorive feministe, tashmë nuk ka asnjë dyshim.
Riola rrëfen arsyet se pse vendosi që ta përkthej pikërisht intervistën rreth kësaj vepre të Simone.
“Kritika që “Seksi i Dytë” plason kundrejt patriarkatit vazhdon të sfidojë normat shoqërore, politike dhe fetare të cilat edhe në ditët e sotme përdoren për justifikimin e statusit inferior që ato i atribuojnë grave. Beauvoir sigurohet që përmes shkrimeve të saj të zbeh kufijtë midis personales, politikës dhe filozofisë”.
“Në intervistën ku diskutohet “Seksi i Dytë” Beauvoir na jep një perspektivë të sajën për eksperiencat e saja dhe procesin e vetëdijesimit personal për çështjen feministe. Rëndësia e kësaj interviste qëndron në faktin se në të, Simone na jep një trajektore dhe këndvështrim kohor të lëvizjes feministe. Përpos kësaj, intervista, në krah me librin, na jep një gërshetim të luftës së seksit dhe klasave. Këto dy pika ndër shumë të tjera që trajtohen në intervistë ende qëndrojnë në ditët e sotme”, thotë ajo.
“Seksi i dytë” njihet si vepra bazë në studimet gjinore në mbarë shkencat sociale, por Morina shpjegon më në detaje se çfarë përfaqësonte filozofja franceze në tërësi.
“Simone de Beauvoir nuk është thjesht një autore a filozofe. Puna e saj referohet si një ndër gur themelet e lëvizjes feministe, ose të paktën pjesës teorike të lëvizjes”.
“Ajo ishte një intelektuale që ndërthuri mendimin filozofik dhe atë letrar me veprimin politik. Kjo ndërthurje i solli botës ndryshime të qëndrueshme legjislative e shoqërore. Jeta dhe puna e saj ka frymëzuar gjenerata të njëpasnjëshme të grave që kërkojnë pavarësi”, shpjegon ajo.
Tutje Morina, per Albanian Post, shpjegon edhe divergjencat ideologjike mes feminizmit të djathtë, e atij të majtë, për të arritur ne konkretizimin e saktë e te drejtë të mendimit të Beauvoir.
“Në një pjesë të intervistës, Simone flet për ndasitë përbrenda vet lëvizjes feministe. Përgjatë këtij shpjegimi ajo thekson pikëpamjen e feministëve të djathta dhe mënyrën se si kjo pikëpamje dëmton lëvizjen si tërësi”.
“Ndër të tjera ajo thotë se: “Gratë e së djathtës nuk duan revolucion. Ato janë nëna e gra të përkushtuara ndaj burrave të tyre. Edhe nëse ato janë rebele, thjesht e bëjnë sepse duan një copë më të madhe të ‘tortës’. Ato duan të fitojnë më shumë, të zgjedhin më shumë gra në parlament, të shohin një grua presidente. Ato besojnë thellësisht në pabarazi, problemi këtu është se ato duan të jenë në krye të kësaj pabarazie e jo në fund”, shpjegon tutje ajo.
Ajo, tendencat konservatore ne feminizëm i konsideron si “minim te barazisë gjinore ne shoqërinë kosovare”.
Por, sipas Riolës, sa është i lartë interesimi i shqiptarëve në leximin e veprave të autorëve më eminent në këtë sferë, të tillë si vetë autorja franceze, Simone de Beauvoir, por edhe Simonë Weil e Hannah Arendt?
“Ka faktorë të cilët mund të na ndihmojnë të krijojmë një vështrim të përgjithshëm mbi këtë çështje. Edhe pse leximi i këtyre autoreve nuk sjellë domosdoshmërisht vetëdijesimin mbi çështjet që ato shtjellojnë, fakti se gjatë viteve të fundit kemi një rritje të dukshme të aktivizimit feminist dhe rritje të ndërhyrjes së kësaj lëvizjeje në sferën publike, na lë për të kuptuar se me të vërtet është në rritje edhe ndikimi i teorive që kanë sjellë autoret si Simone de Beauvoir, Hannah Arendt, Simone Weil”, thotë ajo.
Mes tjerash, aktivistja e qendrës “QIKA”, e thotë shkurtë e në mënyrë koncize, tezën kryesore të Simone në raport me gjininë.
“Në terma të thjeshtë, Simone de Beauvoir argumenton se ka një dallim thelbësor midis seksit dhe gjinisë. Ajo thotë se kjo e dyta është një prej aspekteve të identitetit që fitohet gradualisht ndër kohë”.
Megjithatë, përkthimi i intervistës së bujshme të Simone, nuk do të jetë i fundit, ngase Riola, zotohet se në të ardhmen do të vazhdoj të sjell në gjuhën shqipe tekste të llojit të tillë të cilat kontribuojnë në vetëdijësimin e lexuesëve për çështje të rëndësishme.
“Përkthimi i fundit vjen si produkt i angazhimit në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA. Them me plot besim se ky është vetëm fillimi i një pune që do e vazhdoj në të ardhmen e që qëllim primar do ketë prurjen në shqip të teksteve që kontribuojnë në vetëdijesimin e njerëzve për çështje kaq thelbësore”, ka përfunduar ajo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Kolegji Zgjedhor ‘rrëzon’ opozitën, Tavos i hapet rruga e betimit
-
Arrest shtëpie për kryebashkiakun e Tropojës dhe zv.kryetarin, SPAK: Shkelën ligjin për ndërtimin e 2 rrugëve
-
Hapa të kujdesshëm nga Kievi dhe Moska për planin e paqes të Scholz, por kancelari kritikohet brenda vendit
-
Zgjedhjet në SHBA | Ben-Meir: Harrisi s’do të ndryshojë qasjen rreth dialogut – Trumpi do të ndikohet nga pikëpamjet e Putinit