Shqipëria

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të mblidhen në qershor


Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë mbledhjen e tyre të përbashkët të radhës në muajin qershor.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, shkruan fillimisht Rama.

Ai e inkurajoi homologun e tij, sipas njoftimit, në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetë-menaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë.

“E sigurova se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, theksoi Rama.

Krye-qeveritari i Kosovës një vizitë të ngjashme e kishte bërë edhe më 13 tetor të vitit të kaluar.

Dy liderët pas takimit me dyer të mbyllura nuk kishin dhënë asnjë prononcim për mediat.

Mes tyre, takimi i fundit ka qenë mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, ku të dy palët firmosën një sërë marrëveshjesh për bashkëpunimin mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore