Shqipëria

“Qeveria të fillojë punën, opozita t’i përmbushë detyrat e veta”


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u ka bërë thirrje si qeverisë edhe opozitës që të fillojnë punën sa më parë, në një prononcim për media, të premten e 17 shtatorit.

Duke e cilësuar situatën e demokracisë pas 25 prillit si “gjendje problematike”, ai tha se qeveria duhet të fillojë punën sa më parë. Por, gjithashtu dhe kontrolli i Parlamentit duhet të jetë “i menjëhershëm”.

“Pas 25 prillit janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë dhe parlamentit funksional. Ai duhet të jetë qëllimi ynë kryesor dhe i qytetarëve”, tha Meta.

Ndërsa për opozitën, presidenti i vendit shpreson që “t’i përmbushë detyrat e veta” që parlamenti të jetë funksional.

Po ashtu, ai është treguar i hapur për të mirëpritur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në respekt të kushtetutës.

“I gjithë protagonizmi im s’ka qenë i kërkuar nga Meta, por i imponuar në mbrojtje të demokracisë dhe kushtetutës”, deklaroi ai.

Qeveria ‘Rama 3’ betohet nesër para presidentit

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit do të betohen ditën e nesërme para Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas një seance maratonë, e cila zgjati 20 orë, qeveria e re “Rama 3” ka marrë votëbesimin e Kuvendit të Shqipërisë në orët e para të 17 shtatorit.

Votimi është përmbyllur me 77 vota pro, 53 kundër dhe vetëm një abstenim.

Në fjalën e tij ndërhyrëse gjatë seancës së 17 shtatorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u gjend përpara një “bojkoti” unanim të Partisë Demokratike, e cila u largua nga salla e Kuvendit.

Seanca e 16 shtatorit dëshmoi një përballje nga foltorja e Kuvendit mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme të mandatit.

Lulzim Basha zgjodhi të replikonte, duke sjellë në vëmendje çështje që kanë qenë kryefjala e tij pas zgjedhjeve parlamentare, si “masakra zgjedhore”.

Më herët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi më 14 shtator kabinetin e tretë qeverisës të kryeministrit të zgjedhur të Shqipërisë, Edi Rama.

Ky dekretim erdhi pas kërkesës së 12 shtatorit që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit.

Dy ditë pas kërkesës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e “Rama 3” nuk është nën hetim.

Meta dekretoi kështu ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend, nga ku morën edhe votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës do të përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore