Kosova

Qeveria s’u ndihmon qendrave që kujdesën për fëmijët e braktisur, të gjitha në rrezik për t’i mbyllur programet


Foto nga Albanian Post

Organizata më e madhe në Kosovë për kujdesin ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore do ta gjejë vetën shumë të zvogëluar deri në vitin 2026 për shkak të mungesës së fondeve nga Qeveria e Kosovës, të cilat i merrnin dikur.

Duke u lënë me fonde të vogla dhe jo stabile, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë janë obliguar të hartojnë një program reduktimi me faza.

Programi për uljen e numrit të bonjakëve ka filluar në vitin 2023 dhe vazhdon deri në vitin 2026, pasi shteti nuk ka arritur që t’iu krijojë financim të përhershëm.

Meqë fondet nga ekzekutivi po mungojnë, pritet që të ulet ndjeshëm numri i fëmijëve në SOS Fshatrat.

“Për shkak të mungesës së fondeve qeveritare dhe qëndrueshmërisë së tyre, programet si kujdesi alternativ në SOS Familje pritet të zvogëlojnë gradualisht numrin e fëmijëve nga viti 2023 deri në fund të vitit 2026”, tregon për Albanian Post, Berat Kryeziu, nga Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Ata, shpjegon ai, për “këtë zvogëlim të kapaciteteve në kujdesin alternativ të SOS Familje” e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera përkatëse.

Foto nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë

Në fondacion tash, kur ka paqartësi rreth fondeve, e kanë të pamundur të bëjnë planifikime afatgjata dhe të hartojnë programe me vijueshmëri.

Sipas vetë Kryeziut, mbështetja që e marrin “është simbolike”.

Ndihmat nga shteti s’janë më shumë se 3 deri në 5 për qind e buxhetit të përgjithshëm të organizatës.

“Natyrisht SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë i sigurojnë këto të hyra përmes aplikimit në thirrjet që hapen nga niveli qendror apo lokal”, shtoi Kryeziu.

Foto nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë

SOS Fshatrat për Fëmijë ka qenë lojtar qendror në strehimin, rehabilitimin dhe përkujdesin për fëmijë qysh nga paslufta në Kosovë.

Sipas statistikave që ruan Fondacioni, nga viti 1999 janë mbi 1500 fëmijë të braktisur që kanë gjetur çfarë s’e kishin nga familja pikërisht në SOS Fshat.

“Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, aktualisht ofron strehim, përkujdesje, edukim dhe përkrahje përmes 3 programeve: kujdesi alternativ për fëmijë pa kujdes prindëror, programi i fuqizimit të familjes, programi i gjysmë-pavarësimit”, ka thënë Kryeziu.

Fëmijët bëhen pjesë e tyre përmes Qendrave për Punë Sociale dhe janë të moshave të ndryshme varësisht nga situata e tyre.

Synimet e Fondacionit, siç na tregon Berati, janë që çdo fëmijë të rritet me dashuri, respekt dhe siguri.

“I ndihmojmë ata të formojnë të ardhmen e tyre dhe marrim pjesë në zhvillimin e komuniteteve të tyre. Ne ofrojmë kujdes për fëmijët dhe të rinjtë pavarësisht prejardhjes, kulturës, trashëgimisë, fesë, gjinisë, aftësisë së kufizuar ose origjinës së tyre. Ata janë prioriteti ynë dhe ne bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që ata të rriten të fuqizuar me besim dhe një ndjenjë përkatësie”, ka shtuar ai për AP.

“Në kuadër të programeve tona, organizohen aktivitete edukative, socializuese, psiko-sociale. Të gjitha këto aktivitete bazohen në nevojat dhe kërkesat e fëmijëve dhe familjeve përfituese të SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë. Shërbimet varen nga nevojat dhe kërkesat e fëmijëve”.

Ai thotë se nuk është e lehtë për fëmijët të ndryshojnë jetën e tyre dhe të bashkohen në një ambient të ri dhe të panjohur për ta, por ekipi profesional sigurohet që fëmijët të adaptohen me ambientin, mënyrën e jetesës dhe konceptin e SOS Familjes.

Meqë secili fëmijë shkon aty me një histori, ekipi tyre i përbërë nga psikologë, pedagogë e punëtorë social përpiqet që të ua lehtësoj gjërat.

“Fatmirësisht ekipi i SOS është i përbërë nga profesionistë të fushës sociale të cilët me shumë profesionalizëm i ndihmojnë fëmijët që të ballafaqohen dhe tejkalojnë të gjitha sfidat të cilat i kanë përjetuar në jetë, dhe njëkohësisht i përgatisin për një jetë më të mirë dhe të pavarur”, tha ai.

Albanian Post ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shpjegim, përse nuk ka financim të qëndrueshëm për këto lloj organizatash me gjithë këtë rrjet organizimi dhe me kaq shumë programe për fëmijët.

Nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dashur të përgjigjen, duke adresuar tek Ministria e Drejtësisë.

Këta të fundit s’e kanë marrë mundin për të kthyer një përgjigje.

Derisa mungon ndihma, rastet e fëmijëve që braktisën vazhdojnë.

Vetëm në dy vitet e fundit policia ka regjistruar 180 raste të tilla, të cilat futen nën veprën penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijëve”.

Foto nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP)

Njëjtë si SOS Fshatrat, edhe Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), e themeluar në vitin 2015, po ka vështirësi të mëdha financiare, sepse sikurse shumica e organizatave të tjera në vend, operon në kuadër të fondeve dhe përmes aplikimit me projekte.

Ibadete Krasniqi drejtoreshë në OFAP tregon se si kriza financiare e ka rënduar punën e organizatës këtë vit.

“Edhe organizata jonë sikurse shumica e ofruesve të shërbimeve sociale në vitin 2024 janë në situatë të rëndë financiare. Kjo pasi në dhjetor 2023, në pjesën më të madhe kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke krijuar boshllëqe të mëdha në financimin e shërbimeve”, ka shtuar ajo.

Krasniqi thekson se kjo mungesë e financimit nga institucionet publike ka bërë që disa shërbime për fëmijët të mbyllen e disa të reduktohen.

Qëndrimi i fëmijëve aty është deri në moshën 18 vjeçare, por ka të tillë që qëndrojnë edhe pasi të rriten.

“Fëmijët në strehim familjar janë nga mosha 0 deri në 18 vjet. Ka fëmijë të cilët edhe pas arritjes së moshës 18 vjeçare ende vazhdojnë të qëndrojnë në strehim familjar. Brenda vitit në strehim familjar janë të vendosur rreth 70 fëmijë, ndërsa në strehim familjar tek farefisi janë të vendosur rreth 450 fëmijë”, ka thënë ajo.

Stafi i organizatës OFAP është i përbërë nga profesionistë të fushës të licencuar në ofrimin e shërbimeve psiko-sociale, duke përfshirë: psikologë klinik, psikologë shkollor, organizativ, sociologë, punëtorë social, pedagogë dhe juristë.

Foto nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP)

Gjatë 10 vjetëve të fundit, ata kanë mbështetur rreth 700 fëmijë të vendosur në strehim familjar tek farefisi dhe mbi 500 fëmijë të vendosur në strehim familjar.

SOS Fshatrat dhe OFAP janë dy nga një grumbull organizatash që funksionojnë në Kosovë nën koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Sipas këtij koalicioni organizatash, Kosova ka probleme të mëdha në zbatim të legjislacionit që është i aprovuar në letër.

Në raportin monitorues të KOMF-it, “Karta e Vlerësimit”, vihet në pah se “Kosova ka një boshllëk të madh mes legjislacionit të miratuar dhe zbatimit të tij”.

Madje, aty sugjerohet pikërisht kjo që nuk po ndodhë, “investimet financiare për të ndërtuar kapacitetet që do të zvogëlonin hendekun midis legjislacionit të miratuar dhe zbatimit të tij”.

Edhe nga KOMF e konstatojnë se mungojnë edhe shërbimet që ndihmojnë për të ndaluar sado braktisjen e fëmijëve nga familjet në rend të parë.

“Në praktikë, shërbimet për parandalimin e braktisjes apo ndarjes së fëmijës nga prindërit mungojnë në masë të madhe për shkak të burimeve të pamjaftueshme. Shërbimet për parandalimin e braktisjes dhe fuqizimin e familjes kryesisht ofrohen nga sektori joqeveritar”, shtuan.

Foto nga Albanian Post

Ndërkaq, psikologia Suela Jahja thekson se është shumë e rëndësishme dhe jetësore që këta fëmijë të kenë një vend strehimi dhe një familje ku mund të mbështeten dhe të rriten së paku në prag të normalitetit.

“Patjetër që jeta në fëmijëri ndikon jashtëzakonisht shumë qoftë në formimin tonë si karakter qoftë në zhvillimin tonë emocional, por qoftë edhe në potencialin tonë si person”, tha psikologia Jahja.

Derisa organizatat që kanë zëvendësuar shtetin në kujdesin për fëmijët në nevojë po kanë probleme që ua rrezikojnë ekzistencën, në anën tjetër nuk është se Qeveria ka prodhuar ndonjë politikë që do ta ulte nevojën e tyre dhe shërbimet e ofruara në organizata të mbuloheshin nga infrastruktura shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore