
Mos-gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të ulur akcizën (taksa mbi produktet e luksit) apo edhe tatimin mbi vlerën e shtuar, pas rritjes së çmimeve të produkteve, sipas njohëseve të politikave ekonomike, lidhet në mënyrë eksplicite me faktin se tatimet indirekte – siç janë akciza e TVSH-ja janë burimet kryesore të mbushjes së buxhetit.
Për Hulumtuesin e çështjeve ekonomike, Naim Jakaj, nëse marrim si referencë raportin financiar të të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore për vitin 2020 – pasi ajo e vitit 2021 nuk është publikuar ende – del se 52.9 për qind e buxhetit është produkt i dy këtyre burimeve.
“1 miliardë e 272 milionë e 735 mijë euro kanë qenë të hyrat totale nga këto tatime, prej të cilave të hyrat nga akciza përbëjnë shumën prej 398 milionë e 72 mijë euro apo përkthyer në përqindje 31.3%, përderisa tatimi i mbledhur në vlerën e shtuar ishte 770 milionë e 145 mijë euro ose i përkthyer në përqindje 60.5%. Pastaj, në raport me të gjitha të hyrat për buxhetin e Kosovës del se 52,9 % e këtyre të hyrave janë nga po këto dy burime”, ka thënë Jakaj.
Këto të hyra sipas Jakaj janë të rëndësishme për kryerjen e aktiviteteve publike dhe rrjedhimisht qeveria duhet të ketë kujdes të shtuar e të mirë menduar për vendimet që i merr, kur dëshiron të largojë akcizën apo TVSH-në.
“Ajo nuk mundet t’i heqë ose t’i pezullojë për kohë të gjatë detyrimet ndaj shtetit, por mund t’i ulë deri në një masë të caktuar për disa kategori ku hynë derivatet e naftës dhe te disa nga produktet bazë ushqimore për një periudhë të caktuar deri në tre muaj”.

Me argumentin se me heqjen e akcizës e uljes së TVSH-së dëmtohet buxheti i Kosovës, pajtohet edhe ekonomisti, Safet Gërxhaliu, i cili potencon se në këtë krizë ekonomikë duhet të gjinden modelet më të mira në mënyrë që të mbrohet buxheti makro-fiskal.
“Kosova është në një pozitë të pa volitshme pasi që është një shoqëri që varet nga importi, dhe me vetë faktin që në vitin 2021 kemi pasur një import prej mbi 4 miliardë euro, kemi importuar edhe një inflacion që është 7.1 për qind”, ka thënë Gërxhaliu për AP.
Për Gërxhaliun Kosova, si një shoqëri jo-eksportuese, buxhetin e mbushë nga dogana dhe administrata tatimore dhe rrjedhimisht “e ka atë rrezikun e vetë që nëse ulet akciza do të kemi një vakum buxhetor”.
“Është koha kur duhet të mendohet për një opsion që minimizon efektet negative të kësaj krize dhe pse jo të mos mendohet edhe ulja e akcizës duhet të ndodhë për një periudhë të shkurtër deri sa të kemi një stabilizim të çmimit”.

Në anën tjetër Jakaj, mendon se masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria në këtë kohë të krizës ekonomike duhet të jenë të koordinuara me propozimet e partive opozitare.
“Pra, duke qenë se kjo kjo krizë është globale, është mirë që qeveria mos ta sheh vetëm vehten e saj si aktor në këtë çështje, por ta përfshijë kontributin e opozitës parlamentare, te kuvendit në përgjithësi dhe të grupeve të caktuara në mënyrë që sa më parë grupet që janë goditur më shumë nga kjo krizë të mbështeten e t’iu lehtësohet jetesa”.
Paralelisht me ngritjen pa ekuivok të çmimeve të produkteve të cilat ndikojnë direkt në shportën e qytetarit janë rritur edhe kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për mos-veprim në këtë situatë të jashtëzakonshme.
Kështu Partia Demokratike e Kosovës, e cila kritikoi qeverinë për vonesë në reagim ndaj krizës, propozoi që ajo të largojë përkohësisht akcizën e aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore.
Përpos largimit të akcizës, PDK, propozoi edhe largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik.
Thirrjes së PDK-së iu bashkua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kryetari i saj kërkoi veprim të menjëhershëm nga ekzekutivi duke e cilësuar këta të fundit si “vëzhgues i krizave ekonomike”.
Ai madje kërkoi uljen e TVSH-së e akcizës në të gjitha produktet bazike ushqimore ashtu si veproi shteti fqinjë, Maqedonia e Veriut.
E në anën tjetër Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi që Qeveria e Kosovës të rimendojë përqendrimin e saj ndaj asaj që ata e quajnë “situatë të jashtëzakonshme”, përkundër trajtimit që ata e konsiderojnë “sikur të jetë e zakonshme”.
“Largimin e akcizës, përkohësisht për derivate”, ishte kërkesa e Aleancës duke radhitur kështu edhe disa propozime të tjera ku në mesin e tyre edhe aprovimin e ligjit të pagave.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Ministri izraelit i Ekonomisë do të garojë kundër Netanyahut në zgjedhjet partiake
-
Pritet të mbahet takimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ, rastet përfshijnë dhe Shqipërinë
-
Spotify shkurton thuajse 1600 vende pune mes kostove në rritje
-
Dizajnerët italianë që po përdorin lëvoret e frutave për të krijuar orendi