Kosova

“Qeveria po vazhdon t’i ikë dialogut”, “Kurti i ka gënjyer punëtorët” – përfundon protesta e Sindikatave


Në protestën e realizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ku morën pjesë edhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka potencuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i ik dialogut.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të veprojë në mënyrë që të mos përsëritet viti 2022, kur kishte grevë disamuajshe.

“Qeveri vazhdon t’i ik dialogut. Prandaj jemi këtu duke iu drejtuar Qeverisë që t’i realizojë kërkesat tona për t’i parandaluar veprimet e tjera sindikale. Kërkojmë nga Qeveria që të veproj”, ka thënë Jasharaj.

Në anën tjetër Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se kryeministri Albin Kurti i ka gënjyer punëtorët kur ka deklaruar se do t’i rrisë pagat.

“Kryeministri i Kosovës paguan njerëz nga 7 mijë euro dhe neve nuk na jep as 7 cent. Qeveria me politikat e veta e ka mbyt kapitalin e Kosovës, nëse vazhdon kështu, kryeministrin e Kosovës nuk ka kush të bart me xhipa të zi, se Kosova po zbrazet”, ka potencuar ai.

Ndërkaq kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i ka bërë ftesë ekzekutivit që të angazhohet për dialog me sindikatat.

“Kërkesat tona lindin nga një dëshirë e përbashkët për punëtorët e arsimit, sektorit privat, dhe gjithë punëtoret në Kosovë”, tha Hykolli.

“Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” – nis protesta e SBASHK-ut

Me një pankartë të madhe me mbishkrimin “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale”, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka nisur të mërkurën në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve protestën.

SBASHK-u fillimisht ka nisur marshin drejt Ministrisë së Arsimit.

Ky marsh i nisur rreth orës 11:00 do të përfundojë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku nga aty kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, do t’i shpalosë të 11-të kërkesat drejtuar ekzekutivit.

Protestuesin në duar mbajnë edhe pankarta me mbishkrime si “Duam dialog për realizimin e kërkesave tona”, “kërkojmë të ngritët vlera e koeficientit”.

Në këtë marsh pritet të marrin pjesë rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë.

Përpara Qeverisë së Kosovës, SBASHK-u në kuadër të 11 kërkesave ndër të tjera do të kërkojë nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit, sidomos për ruajtjen e vendeve të punës si dhe respektimin e pensionistëve.

Gjatë protestës do të kërkohet edhe përmirësimi i kushteve të punës në institucionet arsimore si dhe plotësimi i ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave.

Gjithashtu njëri nga 11 kërkesat do të jetë edhe funksionalizimi i Këshillit Ekonomik Social dhe që norma javore të jetë 18 orë, si në shtetet e rajonit.

Po ashtu, kërkesë tjetër e protestës do të jetë rritja e koeficientit prej 30 për qind, dhe për kushte më të mira të punës për mësimdhënësit.

“Kërkojmë që Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimit pa pasur nevojë të shkohet në gjykata. Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione e borde në të cilat vendoset për çështjet jetike për punëtorët”, janë disa nga kërkesat e tjerë të SBASHK-ut.

Në protestë do të marrin pjesë edhe disa sindikata të tjerë.

“Protesta e nesërme është organizmi i bërë më së miri, do jetë kryetari i Sindikatave bashkë me anëtarët e kryesisë nga ato shoqatave, po ashtu nga niveli komunal gjithashtu, shtatë universitetet do të jetë një numër i konsiderueshëm, kërkesat janë legjitime”, tha të martën Jasharaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore