Kosova

Qeveria nënshkruan marrëveshje me BERZH-in prej 400 milionë euro për mbështetje të projekteve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, kanë nënshkruar një  memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, siç janë: infrastruktura, mjedisi, sektori privat dhe integrimi rajonal.

Sipas njoftimit të zyrës për media të Qeverisë, kjo marrëveshje dëshmon partneritetin midis Kosovës dhe BERZH, pasi që vlera e projektuar prej 400 milionë euro tejkalon vlerën totale të granteve dhe kredive sovrane në 11 vitet e fundit, që nga kur Kosova është bërë shtet anëtar i këtij institucioni.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Qeveria është e përkushtuar për mbylljen e boshllëkut infrastrukturor në vend dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik.

“Memorandumi i arritur sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritjen e shpejtë të ekonomisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso, potencoi se “ne synojmë t’i mbështesim nevojat e Kosovës në të dy sektorët, publik dhe privat në çdo hap të rrugës”.

“Kemi synime ambicioze në shumë fusha që mund të plotësohen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon qëllimin tonë për të arritur objektivat strategjike kyçe në Kosovë”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore