Shqipëria

Pemët e gështenjës/ Qeveria shqiptare nis fushatën për shpëtimin e tyre


Për të dytin vit radhazi, ka filluar të dielën e 6 qershorit, fushata e hedhjes së insektit që lufton “grerëzën e zezë” të gështenjave. Fushata ka nisur në zonën e Reçit, në Shkodër.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural (MBZHR) përmes një njoftimi në median sociale Facebook.

Sipas njoftimit, mirëmbajtja dhe ruajtja e gështenjës u bë e mundur përmes një insekti të krijuar në kushte laboratorike, në laboratorë të certifikuar evropianë.

“Kjo metodë siguron ruajtjen dhe mirëmbajtjen pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve duke garantuar cilësinë e këtij produkti shumë të kërkuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar”, shkruan Rama, bashkangjitur me një video-prezantim për fushatën e sapo nisur këtë fundjavë.

Në nisjen e këtij procesi, ishte e pranishme dhe ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi.

Kjo fushatë erdhi, sipas ministres Ekonomi, pas alarmit të specialistëve dhe komunikimit me Universitetin Bujqësor, për gjetjen e një mbrojtësi biologjik, me qëllim që të ruhet cilësia e gështenjës.

“Mbrojtësi biologjik nuk është shumë i përhapur, ai është prodhuar në Amerikë dhe Japoni dhe shpërndahet në Evropë”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera, Ekonomi u premtoi fermerëve  se Ministria e Bujqësisë do të planifikojë një fond për blerjen e mbrojtësit biologjik dhe për vitet në vazhdim.

Gjithashtu ministrja tregon se grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurës në plantacionet e gështenjave.

Banorët e Dukagjinit për Albanian Post: Po sëmuren pemët shëruese

Më herët, për AP-në, banorët e Dukagjinit, ngritën problemin e sëmundjes së pemës së gështenjës.

Ka disa vite që gështenjat e kësaj zone i ka kapur një sëmundje “e tmerrshme”, sipas vendasve.

“Ka rënë prodhimi dhe po dëmtohen edhe fidanët e rinj”, shprehen ata për AP-në.

Sipas Gjin Gurit, i cili ka qindra rrënjë gështenjash në tokat e tij në Dukagjin, pema i ka gjethet e mbledhura dhe kur hapen, brenda tyre gjen krimba.

Në të njëjtën kohë, banorët e zonës janë ankuar edhe për papërgjegjshmërinë e treguar nga autoritetet përkatëse për ta menaxhuar situatën në pyjet e Dukagjinit.

Përveç banorëve, të cilët preken drejtpërdrejtë nga sëmundja e pemëve, personat e tjerë të dëmtuar nga ky fenomen janë edhe grumbulluesit e gështenjave dhe bletërritësit.

Për Albanian Post, Mirash Kroni, një shofer nga Shkodra, i cili grumbullon gështenjat e familjeve në zonën e Dukagjinit dhe ua shpërndan pikave të shitjeve, thotë se ulja e prodhimtarisë së gështenjave ka ndikuar edhe në ekonominë e tij familjare.

A do zgjidhet problematika e banorëve të Dukagjinit, me fushatën e Ministrisë?

Nga burimet zyrtare të AP-së, ky projekt ka si qëllim shumimin e insektit që lufton “grerëzën e zezë” të gështenjave, edhe në zonat përreth.

“Arsyeja pse zhvillohet në Reç për të dytin vit, është se duam që insekti të shumohet dhe të përhapet dhe në zona të tjera. Sigurisht mund të prekë dhe zonën e Dukagjinit por nuk e them me siguri, pasi varet nga lëvizja e insektit”, u njoftua nga burimet zyrtare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore