Kosova

Qeveria Kurti me rekord të shkeljeve të Kushtetutës që nga paslufta


Foto: Albanian Post.

Për tri vjet, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e shkeli Kushtetutën për 8 herë radhazi.

Vetëm për dy ditë, gjykata konstatoi shkelje në dy vendime të Qeverisë – njëri për shkarkimin e anëtarit të Organit Shqyrtues së Prokurimit, e tjetri për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Dy vendimet e fundit e bënë qeverisjen Kurti si pushtetin që ka më së shumti shkelje të aktit më të lartë juridik në vend që nga paslufta.

Këto shkelje të vazhdueshme po vlerësohet se po ndodhin për shkak se pushteti po i përgatit këto ligje në mënyrë të gabueshme.

Por, gjithashtu tregojnë për mosrespektim të kushtetutshmërisë.

Ligjëruesi universitar, Mazllum Baraliu, gjatë një bisedë për Albanian Post sqaron se edhe përse s’ka statistika të sakta nga përvoja që ka rezulton që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka më së shumti shkelje të Kushtetutës.

“Nuk ka ndonjë statistikë, me aq sa unë i përcjelli këto çështje s’ka pasur shkelje kaq shumë në të kaluarën. Por, ka pasur ndikim politik edhe në të kaluarën, kjo është një sindrom ‘sëmundje’ e cila i ka përcjellur të gjitha qeverisjet”.

Rezultatet e Kushtetutës janë rezultate të punës së ekzekutivit në këto ligje.

“Është dëshmuar në këtë mandat fatkeqësisht që ligjet që kjo qeverisje po i dërgon janë jo të përgatitura mirë. Pastaj, edhe interesat politike mund të jenë të interfenuara, mbi të gjitha përshtypja e opinionit publik dhe njohësve profesional edhe akademik është që thjesht ka ngecje në përgatitje të mirëfilltë dhe në respektim të Kushtetueses”, thotë Baraliu për AP.

Gjykata Kushtetuese.

Sipas Baraliut, edhe pse kjo mund të jetë edhe tendencë për ta penguar punën e ekzekutivit me çdo mjet dhe me çdo kusht nga opozita, faktet e Kushtetutës po e dëshmojnë mos punën e duhur.

“Faktet flasin. Ka rezultuar që shumë projektligje të cilat janë dërguar nga kjo qeverisje madje me këmbëngulësi që të miratohen me çdo kusht janë konstatuar që s’janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Si Baraliu, ngjashëm thotë edhe Ukaj që asnjëherë s’ka pasur shkelje kaq të shumta të Kushtetutës.

Ukaj, në një përgjigje për Albanian Post deklaron se ky pushtet mund të quhet lirshëm “Qeveri antikushtetuese”

“Nuk ka pasur në të kaluarën ligje ose shkarkime institucionale që bien ndesh me Kushtetutën si akti më i lartë i shtetit sesa kjo Qeveri”.

“Është argumenti më i mirë se kjo Qeveri edhe përgjatë punës së vet ka treguar se përveç që s’ka punuar asgjë dhe s’ka pasur projekte po dëshmohet se vazhdimisht ka bërë edhe veprime antikushtetuese”, thotë Ukaj për AP.

Tendencat e ministrisë së Drejtësisë për t’i ndryshuar ligjet për Ukajn kanë qenë të gabuara.

“Përpjekjet e ministrisë së Drejtësisë me qëllim që të ndryshoj ligjet që kanë të bëjnë me aspektin e drejtësisë, sërish kanë rënë ndesh me aktin më të lartë kushtetues në të gjitha aspektet juridike, duke treguar se kanë qenë të përpiluara gabimisht”.

I marrim me radhë, cilat janë shkeljet e Qeverisë Kurti?

Shkeljen e parë do ta bënte Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës – që atë kohë udhëhiqje nga Qëndron Kastrati – për reformën në Arsim, prandaj edhe Gjykata Kushtetuese në një vendim të shpallur më 30 dhjetor 2022, kishte thënë se ka tejkaluar kompetencat e veta.

“Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë”, thuhej në njoftim e Gjykatës.

Ky institucion i kishte sqaruar ministres Nagavci nenin i cili e mundëson vetëqeverisjen lokale.

“Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj”.

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Nagavcin do ta pasonte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i hartuar nga Haxhiu dhe kabineti i saj, ishte dërguar për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e tij nga deputetët e opozitës.

Vendimi i Kushtetueses, i publikuar më 24 mars të vitit të kaluar, tregonte se ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës”.

“Paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.

Shkelja e tretë do të konstatohej më 4 korrik 2023, kur Gjykata Kushtetuese, do të vendoste në favor të Komunës së Prishtinës, lidhur me dy vendime të ndara të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ku ishte miratuar propozimi i kryetarit të komunës, Përparim Rama, për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”, me destinim për ndërtim të shkollës, kopshtit dhe hapësirave gjelbëruese.

Kjo fitore e Komunës së Prishtinës ishte ndaj dy ministrive, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, dhe ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të drejtuar nga Rozeta Hajdari.

Aktgjykimi konstatonte që përmes pezullimit të vendimeve të Komunës së Prishtinës, MAPL dhe MINT nuk e kishin ushtruar kompetencën e kontrollit administrativ në përputhshmëri me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit të Aplikueshëm.

Rozeta Hajdari dhe Elbert Krasniqi.

Dy shkeljet e radhës u bënë publike në fillim të gushtit 2023, me vetëm dy ditë dallim, përkatësisht më 1 dhe 3 gusht.

Fillimisht u konstatua se shkarkimi i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës më 8 korrik 2021, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe bëri me dije se vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur unanimisht që të deklaronte kërkesën nga deputetët e opozitës për Bordin e RTK-së të pranueshme dhe të refuzonte kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e vendimit të kontestuar.

“Me pesë vota për dhe dy vota kundër, gjykata ka vendosur të konstatojë që vendimi i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës së Kosovës”, potencohej ndër të tjera aty.

Ndërsa me 3 gusht 2023, Gjykata Kushtetuese njoftoi se disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë ishin anti-kushtetues, kjo pasi që dy partitë opozitare; PDK-ja e LDK-ja e kishin dërguar në Kushtetuese.

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës kishte vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës.

“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

Shkelja e gjashtë u konstatua të premten e 24 nëntorit, 2023.

Kushtetuesja e shpalli si anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për çmimet tavan, apo “Ligji nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”.

Vendimi i fundit i Kushtetueses thotë se ligji në fjalë bie ndesh me tri nene të Kushtetutës së Kosovës.

Ligji “shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, sqaron vendimi.

Janë plotë katër nene të ligjit anti-kushtetuese, sipas vendimit dhe ka shkelje në 11 paragrafë të katër neneve të ligjit të sponsorizuar nga Qeveria.

Dy shkeljet e fundit, për ta plotësuar tetëshen, të Kushtetutës nga ana e ekzekutivit do të konstatoheshin më 25 dhe 26 qershor 2024.

Të martën, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues vendimin e Qeverisë së Kosovës, të votuar më pas në Kuvend, për shkarkimin e njërës anëtare të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e cila si kryetare e panelit për rastin e një tenderi të insulinave votoi për kontraktimin e tyre pa garancitë e kompanisë për cilësinë e barit.

Sipas vendimit të Kushtetutës, as Qeveria dhe as Kuvendi s’kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të etikës profesionale të anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi.

Ndërsa, të mërkurën, e ka shpallur antikushtetues edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është dërguar në Kushtetuese nga Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore