Lajme

Qeveria është tërhequr nga vendimi për bllokimin e mallrave serbe – “me gjasë pati ndërhyrje”


Vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës që u publikua si informacion nga disa media në Kosovë, nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Qeveria ka vendosur heshturazi të tërhiqet dhe nuk e ka protokolluar si vendim.

Burime të Albanian Post nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.

“Me gjasë pati ndërhyrje nga jashtë, sepse ishim gati dhe prisnim që vendimin t’ia dorëzonim Ministrisë, por nuk u bë”, ka thënë burimi për Albanian Post.

Se diçka nuk është në rregull u kuptua gjatë konferencë së sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ata refuzuan ta adresojnë direkt çështjen dhe nuk folën fare për vendimin.

Kurti vetëm tha se “institucionet tona të rendit dhe sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë” dhe shtoi se “për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë”.

Ai nuk përmendte fare ndonjë vendim për bllokim mallrash, vetëm tha se kanë shtuar “kontrollet,  sidomos te ato transportuese”.

Kurti vazhdonte të fliste për “rritje të kontrolleve kufitare varësisht nga analizat dhe vlerësimet e institucioneve të sigurisë”, por për vendimin nuk fliste.

Për të nuk fliste as ministri.

Albanian Post ka kontaktuar me pikat doganore.

Zyrtari te sektori i informimit – pa u prezantuar me emër – ishte i paqartë në përgjigjen e pyetjes se e kanë vendimin e shkruar apo jo.

Albanian Post ka kërkuar edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dokumentin e vendimit për ndalimin e mallrave serbe, por i njëjti nuk gjendet as në këtë ministri – sepse një vendim i tillë s’është bërë i formës së shkruar asnjëherë.

Sipas procedurës, pas protokollimit të vendimit nga Qeveria, ai do të duhej t’i shkonte ministrisë e cila do ta publikonte – kanë kaluar afër 24 orë, por vendimi s’është publikuar.

Në kufi megjithatë ka kolona kamionësh, por kjo për arsye të shtimit të procedurave të kontrollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore