Lajme

Qeveria e Kosovës synon përkujdesjen institucionale të Luginës së Preshevës


Albin Kurti dhe Ragmi Mustafi

Me synim të promovimit të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.

Kështu të paktën bëhet e ditur në një komunikatë për media e leshtuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Memorandumin në fjalë e kanë nënshkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i këtij këshilli Ragmi Mustafi.

Memorandumi, sipas njoftimit, ka për qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës.

Sipas deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, memorandumi nënkupton “fillimin e realizimit të përkujdesjes institucionale të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës dhe dëshmon kredibilitetin që Këshilli Kombëtar ka ndërtuar te faktori kombëtar”.

Ndryshe sipas Mustafit shpopullimi i popullatës shqiptare nga Lugina e Preshevës është një problem në vete.

“Po ky është një problem real, po nuk është problem shpopullimi i popullatës, por kushtet në të cilat e kanë dërguar shpopullimin e popullatës, të cilët kanë qenë pjesë e diskriminimit të vazhdueshëm nga Republika e Serbisë. Madje pasivizimi është nga rastet më eklatante në botë, ku përmes mjeteve administrative siç është konstatuar nga Komiteti i Helsinkit bëhet spastrimi etnik, kjo ka qenë tema që kemi diskutuar me institucionet e Kosovës dhe njëra nga temat që e kemi diskutuar në Uashington”, ka thënë Mustafi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore