Kosova

Qeveria e Kosovës i cilëson “të gabuara dhe të pabazuara” kritikat e ndërkombëtarëve për shpronësimet në veri


Ilustrim

Kritika e Bashkimit Evropian (BE) dhe shteteve partnere të QUINT-it rreth vendimit për shpronësimin e tokave në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe nxiti reagimin e ashpër të Qeverisë së Kosovës, duke konsideruar se aleatët e Kosovës konstatuan “në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bënë vlerësime ligjore të pabazuara në argumente”.

Në reagimin e ekzekutivit kosovar të publikuar në “Facebook” të enjten në lidhje me deklaratën e përbashkët të BE-së, QUINT-it dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) se eksekutivi shkeli ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale e teknike gjatë procesit, thuhet se shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria dhe jo nga etnia.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për Deklaratën e shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së lidhur me vendimin e datës 30 maj mbi shpronësimin e pronës së paluajtshme në disa komuna në veri të Republikës së Kosovës. Deklarata në fjalë, konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.

Gjithashtu, ekzekutivi kosovar shprehi “shqetësimin” që deklarata e aleatëve të Kosovës i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës në veri të vendit si komuna me shumicë serbe, duke vlerësuar se një referencë e tillë shkon kundër frymës dhe karakterit multietnik të kushtetutës së Kosovës.

“Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve”, thuhet në reagim.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe, por edhe zyra e BE-së dhe misioni i OSBE-së në Kosovë shprehën keqardhje që qeveria nën drejtimin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, s’ka pritur që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të përfundonin para se të merrte vendim për shpronësimin e tokave në veri.

Por, në një kundërpërgjigje, qeveria theksoi se “paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë”, por “gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë”.

“Ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës […] Ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në dy komunat veriore në vitin 2023, ndërsa në bazë të vendimit paraprak, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe 33 hektarë në Zubin Potok. Por, në vendimin e 30 majit të qeverisë kosovare thuhej se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore