Kosova

Qeveria e Kosovës flet për Albanian Post rreth “non-paper franko-gjerman”


Qeveria e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thonë se janë në një linjë me Gjermaninë edhe Francën sa i përket publikimit të një “non paper” të ri në media të hënën që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe duke u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Albanian Post.

Të hënën, Koha Ditore ka publikuar një dokument tjetër kinse të përgatitur nga Gjermania dhe Franca

Por, ky lajm sipas ambasadorit të Gjermanisë, Jorn Rohde, është lajm i rremë dhe se Gjermania nuk qëndron prapa këtij dokumenti.

Por, Franca e Gjermania kanë mohuar se qëndrojnë prapa dokumentit të publikuar të hënën nga Koha Ditore. Të dyja shtetet kanë bërë me dije se respektojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

“I ashtuquajturi ‘non-paper germano-francez’ i botuar nga Koha Ditore është lajm i rremë! Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurt nuk është gjermano-francez. Përkrahja jonë e plotë është për dialogun e udhëhequr nga BE-ja të udhëhequr nga EUSR Miroslav Lajcak ashtu siç e theksoi sërish ministri i Jashtëm gjerman Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar ambasadori Rohde në Tëitter.

Të njëjtën deklaratë e ka bërë edhe Ambasada e Francës në Kosovë, duke thënë se “Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit ‘non-paper’ franko-gjermane të botuara të hënën.

“Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e BE-së dhe mirëpresim përpjekjet e ndërmarra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar me dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak”, thuhet në reagim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore