Financa

Qeveria do t’i rrisë pagat deri në 16% për nëpunësit civilë – kategoria ekzekutive


Menaxhimi i burimeve njerëzore në administratën publike do të ketë një qasje më të shpërblyer financiarisht.

Të paktën kështu parashikon Qeveria me objektivin që deri në vitin 2025, nëpunësit civilë të kenë një rritje mes 11 deri në 16 për qind.

Kjo rritje e pagave rishikohet në dokumentin e “Masave prioritare të Administratës Publike” 2023-2030 i nxjerrë për konsultim fillimisht në shtator dhe i rihedhur për konsultim të martën e 10 tetorit.

Kësaj here, i zgjeruar me informacion dhe masa shtesë.

Në dokument thuhet se “administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës. Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese”.

Po ashtu vijon duke thënë se “shtesa e vjetërsisë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike. Paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024”.

Ndërkaq, në dokumentin e ri theksohet një tjetër paragraf më i zgjeruar që parashikon planet e reja për pagat.

“Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2023: pozicionet e kategorisë ekzekutive nga 19-41 për qind; pozicionet në nivelin e ulët drejtues 28-34 për qind; pozicionet në nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues 25-35 për qind”.

Referuar dokumentit të ri, rritja e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2025 për pozicionet e kategorisë ekzekutive do të jetë me 11-16 për qind krahasuar me vitin 2023.

“Sistemet digjitale që mbështesin menaxhimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore janë plotësisht funksionale dhe lejojnë automatizimin e listëpagesave dhe zbatimin e praktikave të mira dhe forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të administratës publike, brenda vitit 2028”, thuhet në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore