Lajme

Qeveria dhe Presidenca për Albanian Post: Nuk mund të jemi garantues për të akuzuarit e Speciales


Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thonë se “Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për të akuzuarit nga Gjykata Speciale”.

“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për media të Qeverisë së Kosovës.

Sipas kësaj përgjigje “Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”.

“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë Qeveria e Republikës së Kosovës, nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion”.

“Krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”.

Në të njëjtën linjë me Qeverinë janë edhe në zyrën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Këshilltari për Media në Presidencë, Bekim Kupina, tha për Albanian Post se  “çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara”.

Sipas tij, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë.

“Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. E njëjta është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës si dhe vepron në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media në Presidencë.

Megjithatë, sipas Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deri më tani Qeveria nuk ka marrë ndonjë kërkesë për garanci për të akuzuarit e Hagës.

“Deri tani nuk kemi pasur ende asnjë kërkesë zyrtare nga mbrojtja e personave që po akuzohen brenda gjykatës së specializuar. Është dashur që të fuqizohen institucionet tona të drejtësisë, në raport me adresimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë por nëse ka pasur ndonjë krim individual që nuk ka qenë nga UÇK, padyshim që do të duhej të adresohej”, është shprehur Haxhiu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore