Kosova

Qeveria akuzon Gjykatën për “sabotazh” të luftimit të krimit në Veri, pas lirimit të Pantiç-it


Dejan Pantiç

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë konsideruar si “sabotazh” të luftimit të krimit në Veri, vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për lirimin e ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i akuzuar për sulme terroriste.

Pantiç akuzohej për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Veri, mirëpo i njëjti është liruar pas deponimit të dorëzanisë në shumë prej 30 mijë euro.

Ndaj vendimit të së premtes për lirimin e ish-policit, gjatë po të së njëjtës ditë, me akuza ndaj gjykatës kompetente, ka reaguar udhëheqësi i dikasterit që ka bëjë me sigurimin e rendit publik dhe ajo e drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”.

Ministri theksoi se Policia arreston terroristët, ndërsa “këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani”, duke iu referuar shumës së mjeteve financiare që u pagua për lirimin e Pantiç-it.

“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiç, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani”, shtoi.

Mirëpo, në vlerësimin e Sveçlës, as masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta “nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në Veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Kosovës, policinë, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Edhe veprat për të cilat akuzohet Pantiç dhe të tjerët, kreu i MPB-së thotë se nuk janë çfarëdo veprash.

“Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në Veriun tonë dhe as drejtësisë”.

Përkundrazi, pohon ai, “ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër”.

“Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëçarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës” potencon Sveçla.

Pas Sveçlës, me një diferencë kohore për rreth një orë, reagoi edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Po ashtu në Facebook, Haxhiu tha se “të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani!”.

Si ka nisur kështu, vlerëson ministrja, “nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Kjo veç drejtësi nuk është!”, beson Haxhiu. “E papranueshme”.

Çka ndodhi?

30 mijë euro i mjaftuan Gjykatës Themelore të Prishtinës që vendoste që ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohej për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në Veri, për t’u liruar nga arresti shtëpiak.

Fillimisht lajmin për Albanian Post e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit Dejan Pantiç avokati Ljubomir Pantoviç, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

“Kështu që me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit Dejan Pantiç të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30 mijë eurosh”.

Gashi më pas ka sqaruar se gjykata nuk ka pranuar më kërkesë nga Prokuroria Speciale për vazhdimin e arrestit shtëpiak.

“Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30 mijë eurove”.

Më 4 shtator, mbrojtja e të dyshuarit Pantiç kishte parashtruar kërkesë për zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë.

Me këtë propozim ishte pajtuar Prokuroria Speciale e cila përmes një parashtrese kishte shprehur pëlqim për këtë zëvendësim të masës.

Pantiç fillimisht kishte qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrestin shtëpiak.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me 10 vjetor të 2022 për sulmet që kishte bërë në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Për të kundërshtuar këtë vendim në Veri ishin ngritur barrikada për rreth 20 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore