Kosova

Qeveria 1 majin e pret me protestën e Sindikatës së Arsimit


Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, më 1 maj, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të protestojë para Qeverisë së Kosovës.

SBASHK-u fillimisht, të mërkurën, do të marshojë drejt Ministrisë së Arsimit, me moton “Duam dialog social”.

Ky marsh i nisur rreth orës 11:00 do të përfundojë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku nga aty kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, do t’i shpalosë të 11-të kërkesat drejtuar ekzekutivit.

Në këtë marsh pritet të marrin pjesë rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë.

Përpara Qeverisë së Kosovës, SBASHK-u në kuadër të 11 kërkesave ndër të tjera do të kërkojë nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit, sidomos për ruajtjen e vendeve të punës si dhe respektimin e pensionistëve.

Gjatë protestës do të kërkohet edhe përmirësimi i kushteve të punës në institucionet arsimore si dhe plotësimi i ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave.

Gjithashtu njëri nga 11 kërkesat do të jetë edhe funksionalizimi i Këshillit Ekonomik Social dhe që norma javore të jetë 18 orë, si në shtetet e rajonit.

Po ashtu, kërkesë tjetër e protestës do të jetë rritja e koeficientit prej 30 për qind, dhe për kushte më të mira të punës për mësimdhënësit.

“Kërkojmë që Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimit pa pasur nevojë të shkohet në gjykata. Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione e borde në të cilat vendoset për çështjet jetike për punëtorët”, janë disa nga kërkesat e tjerë të SBASHK-ut.

Në protestë do të marrin pjesë edhe disa sindikata të tjerë.

“Protesta e nesërme është organizmi i bërë më së miri, do jetë kryetari i Sindikatave bashkë me anëtarët e kryesisë nga ato shoqatave, po ashtu nga niveli komunal gjithashtu, shtatë universitetet do të jetë një numër i konsiderueshëm, kërkesat janë legjitime”, tha të martën Jasharaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore