Shqipëria

Qendrat shëndetësore do të kthehen në qendra socio-shëndetësore, sipas Manastirliut


Ogerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka marrë pjesë në Kongresin XII Europian, të organizuar nga Federata Mjekët Shqiptarë në Europë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Ajo, në fjalën e saj, ka thënë se në fokus të punës së ministrisë është transformimi i kujdesit parësor, duke i kthyer qendrat shëndetësore në qendra socio-shëndetësore.
“Programi i transformimit të kujdesit parësor me qendrat socio-shëndetësore do të nisë këtë vit”, ka njoftuar ministrja.

“Vlerësojmë se 50 psikologët e punonjësit socialë do të përfshihen menjëherë në qendrat e përcaktuara të fazës së parë të këtij programi, brenda këtij viti, e më pas, duke vijuar me shtrirjen e këtij programi në strukturat e specializuara të qendrave shëndetësore, që do të klasifikohen si qendra të kujdesit socio-shëndetësor”, ka shtuar.

Po ashtu ka thënë se reforma e autonomisë spitalore do të materializohet së shpejti për të filluar pilotimin për herë të parë në Spitalin Memorial në Fier.

“Një tjetër reformë po thellohet dhe do të materializohet së shpejti, që është pikërisht Autonomia Spitalore, nëpërmjet ligjit të ri për kujdesin spitalor, që miratohet dhe fillon pilotimin në një prej spitaleve të ekselencës të ndërtuar një vit më parë, Spitalin Memorial në Fier”, ka treguar Manastirliu.

Nga ana tjetër, ajo nuk ka lënë pa përmendur kontributin e mjekëve gjatë krizave të tërmetit dhe pandemisë, të cilët “u menaxhuan falë investimeve të kryera këto vite”.

Gjithashtu ka vlerësuar edhe kontributin e mjekëve të diasporës gjatë pandemisë, për të luftuar infodeminë.

Ajo i ka ftuar ata për bashkëpunim, për të shkëmbyer eksperiencat me një realitet të ri që ekziston tashmë në Shqipëri, në funksion të përmirësimit të sistemit shëndetësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore